Thaçi: Me Serbinë duhet marrëveshje pa lëvizje të kufijve mbi baza etnike

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në Forumin e Bratisllavës të organizuar nga GlobSec, ku i pranishëm është edhe homologu serb, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Serbia po e kushtëzon dialogun.

“Nuk mund të ketë dialog nëse Serbia vendos kushte ashtu siç po bënë tani. Po ashtu nuk mund të arrihet marrëveshje me gjithë këtë qasje penguese të Serbisë ndaj Kosovës duke bërë përpjeke për ndalimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare si UNESCO dhe INTERPOL”, tha Thaçi.

Ai shtoi se Samiti i Parisit do të ishte një mundësi e mirë që të vazhdohet tutje dialogu Kosovë-Serbi.

“Unë bësoj që në javët e ardhshme mund të krijohet një ambient më i qetë dhe më konstruktiv që të vazhdohet procesi i dialogut dhe samiti i Parisit do të ishte mundësi shumë e mirë për të ndërmarrë hapa konkret për të arritur një marrëveshje mes vendeve”, tha presidenti.

Presidenti Thaçi theksoi se duhet të arrihet një marrëveshje mes dyja vende që është ligjore dhe obligative, por se tha që nuk do të ketë lëvizje të kufijve.

“Një marrëveshje që do të ishte finale, një marrëveshje ligjore dhe obligative e cila nuk do të cenonte realitetin multientik të Kosovës, sigurisht jo lëvizje të kufijve mbi baza etnike dhe që të përfundojë në njohje reciproke mes dyja vende”, shtoi ai.