Thaçi i Lumtur për Liberalizimin dhe UEFA-n

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim ambasadorët e të gjitha shteteve të Bashkimit Evropian, vetëm pak orë para vendimit të Komisionit Evropian për liberalizmin e vizave.

Para ambasadorëve, presidenti Thaçi ka shpalosur edhe prioritetet e tij për mandatin pesëvjeçar: Sundimi i së drejtës, zhvillimi ekonomik, bashkëpunimi rajonal, anëtarësimi në NATO dhe në BE.

Ai ka thënë se anëtarësimi i djeshëm në UEFA, ambiciet për medalje në Lojërat Olimpike, por edhe rekomandimi për liberalizim të vizave, janë disa nga lajmet e tjera të mira që po i përjetojmë apo që po i presim me padurim.

“Duke u nisur nga anëtarësimi i Kosovës dje në UEFA, besoj që edhe ligat evropiane dhe kampionatet botërore tani do të pasurohen edhe me ekipet kosovare dhe talentët kosovarë. Mund të imagjinoj se ndonjë ekip i juaj mund të dobësohet me ardhjen e kosovarëve”, ka thënë me shaka presidenti para korit diplomatik.

“Kosova sot është faktor stabiliteti në rajon dhe shembull i bashkëpunimit dhe dialogut. Demokracia kosovare është e re por ka treguar qëndrueshmëri dhe stabilitet. Pas një periudhe jo të këndshme politike tanimë takimet e liderëve të të gjitha partive po ndodhin dhe kjo është inkurajuese”, ka theksuar po ashtu presidenti Thaçi.

Duke folur për luftën kundër terrorizmit, presidenti ka thënë se me të drejtë jemi cilësuar lider në rajon në luftimin e radikalizmit dhe ekstremizmit.

Në anën tjetër, ambasadorët e shteteve të Bashkimit Evropian e kanë përgëzuar presidentin Thaçi për anëtarësimin e Kosovës në UEFA. Ata i kanë ofruar mbështetje për prioritetet e tij.