Akademia përkujtimore për Luan Haradinajn - Foto: Facebook/HashimThaci

Thaçi: Luan Haradinaj theu gurin shqiptar për herë të parë

Njeri i shëmbëlltyrës, dinjitetit, virtytit dhe krenarisë kombëtare është vlerësuar nga presidenti Hashim Thaçi dëshmori i kombit Luan Haradinaj në 21-vjetorin e rënies së tij.

“Luani ishte prej veprimtarëve të parë të UÇK-së. Luani ishte fjalë pak, por trim i paparë. Luan Haradinaj është njeriu që theu dhe shembi gurin shqiptar për herë të parë në kufij”, tha sipas një komunikate të Qeverisë presidenti Thaçi në akademinë përkujtimore e organizuar nga shoqatat e dala nga lufta.

Sipas një komunikate të Zyrës së Kryeministrit, presidenti Thaçi ka theksuar se Luan Haradinaj është personifikimi më monumental për çlirimin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Një fjalë rasti ka mbajtur edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili është vëllai i dëshmorit të kombit, Luan Haradinajt.

Ai falënderoi organizatorët e akademisë përkujtimore, për të cilën tha se i nderon edhe si familje edhe si bashkëluftëtarë të Luanit.

Në emër të shoqatave të dala nga lufta, Xhavit Jashari, tha se Luani në moshën 19-vjeçare ishte bëri njëri ndër veprimtarët e dalluar të luftës për liri, andaj edhe lufta dhe rënia dhe tij kanë përmasa kombëtare.

“Luani jo vetëm se ishte pjesë e luftës, por ai ishte një figurë bashkuese për ta shtrirë këtë luftë në gjithë territoret e tokave të pushtuara shqiptare”, tha Jashari sipas komunikatës së Qeverisë.

Për luftën e UÇK-së dhe figurën e Luanit me një kumtesë para të pranishmëve foli profesor Emin Kabashi, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Universitetit të Prishtinës.

Në këtë akademi të pranishëm ishin presidenti i Kosovës, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, ministra, deputetë, bashkëluftëtarë, familjarë të dëshmorëve e kryetarë të komunave.