Presidenti Hashim Thaçi, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, ambasadori Greg Delawie- Foto: Ministria e Drejtësisë

Thaçi: Kushtetuta e Kosovës, më Modernia në Europën Juglindore

Në shënimin e dhjetëvjetorit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ministria e Drejtësisë organizoi një pritje solemne, ku Kushtetuta e Kosovës nga krerët e institucioneve u vlerësua si më modernia dhe më e avancuara.

Si nikoqir i kësaj ngjarjeje, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri tha se Kushtetuta ka përcaktuar të ardhmen demokratike të shoqërisë dhe të gjitha institucionet e kanë për obligim që atë ta vendosin në rrugë të drejtë e të sigurt.

“Kushtetuta në formën dhe përmbajtjen e saj ka vendosur bazën për paqe të qëndrueshme dhe ka përcaktuar parime të larta të demokracisë e lirisë. Nuk përfaqëson vetëm formalisht aktin juridik që përfaqëson rendin ekonomik e social por edhe identitetin e popullit tonë”, tha Tahiri.

Ai shtoi se Kosova si shtet i ri ka pasur suksese dhe sfida.

Ndërsa, presidenti Hashim Thaçi tha se dita e miratimit të Kushtetutës ishte jetësim i projekteve, ideve dhe ëndrrave të shumë gjeneratave që punuan për të.

“Kushtetuta e Kosovës është më modernia në Europën Juglindore. Sot, ashtu sikurse dhjetë vjet më parë, nuk ishte vetëm gëzim por edhe një ditë zotimi që do të ndërtojmë një shtet me paqe e stabilitet. U zotuam që Kosova do të jetë një shtet i ekonomisë, duke garantuar një treg të lirë duke garantuar konkurrencën”, tha ai.

Sipas presidentit Thaçi, zbatimi i Kushtetutës është qenësore.

Kurse, kryeministri Ramush Haradinaj tha se Kosova si shtet i ri është krenar me bazën e saj kushtetuese.

“Jam krenar, me bazën tonë kushtetuese të kësaj kohe po ju tregoj plotëve këtu që shqiptarët kanë traditë të normave të kodeve dhe u takojnë popujve më të hershëm që kanë pasur norma e kode që kanë rregulluar jetën e tyre. Duke qenë kështu populli si popull shqiptarët kanë pasur norma e kode ekuivalent”, tha Haradinaj.

E kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama, tha se Kushtetuta e Kosovës rikujton përpjekjen dhe sakrificën e gjeneratave të kaluara.

“Kjo ditë dhe kjo Kushtetutë na rikujton përpjekjen dhe sakrificën e shumë gjeneratave para nesh për vënien e themeleve kushtetuese për shtetin tonë të ri por edhe obligimet që i kemi përsipër për Kosovën e pavarur”, tha Rama.

Sipas Ramës, Kushtetuta e Kosovës është mjaft moderne dhe e avancuar.

“Falë Kushtetutës, ne tashmë kemi arritur që të ndërtojmë një strukturë të qëndrueshme”, shtoi ajo.