Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duke vendosur lule te varri i Adem Demaçit, Foto: KALLXO.com

Thaçi: Kosova do ta nderojë përjetësisht Adem Demaçin  

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë homazhe pranë varrit të veprimtarit Adem Demaçi.

Thaçi tha se e ka ndjerë obligim që sot, pas tri ditëve të zisë në Kosovë të nderojë Demaçin.

“Shteti i Kosovës do ta nderojë dhe do ta respektojë për jetë veprën dhe jetën e simbolit të rezistencës, Adem Demaçin”, u shpreh Thaçi.

Kreu i shtetit ka shtuar se duke nderuar jetën e Demaçit, ne e nderojmë vetveten.

“Duke respektuar dhe nderuar jetën, veprën dhe angazhimin e tij jetësor për liri të Kosovës dhe për bashkim të shqiptarëve, ne nderojmë vetveten dhe marrim energji për hapat tanë të mëtutjeshëm”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi ka theksuar se shteti i Kosovës dhe kombi shqiptar do ta respektojnë e nderojnë përjetësisht Adem Demaçin.