Presidenti Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Thaçi: Korrigjimi i kufijve – mundësia e vetme që Presheva, Bujanoci e Medvegja t’i bashkohen Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sërish është deklaruar rreth idesë së tij për “korrigjimin e kufijve” me Serbinë.

Ai ka deklaruar se korrigjimi korrigjimi i kufijve në mënyrë paqësore është mundësia e vetme që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja t’i bashkohen Kosovës.

Por, Thaçi thotë se ai me kohë e ka hedhur poshtë opsionin e ndarjes dhe të shkëmbimit të.

“Unë jam duke folur vetëm për korrigjim të kufirit në mënyrë paqësore, dhe atë, në favor të Kosovës. Ndërsa, kundërshtuesit e këtij propozimi, propagandojnë për ndarje dhe shkëmbim të territoreve”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në “facebook”.

Ky është postimi i tij i plotë:

“Një mesazh për ata që mendojnë se korrigjimi i kufijve në mënyrë paqësore është ide e keqe, përkundër faktit se e dinë që është mundësia e vetme që Presheva, Bujanoci dhe Medvegja t’i bashkohen Kosovës.

Që të jem i qartë: Unë e kam hedhur poshtë me kohë opsionin e ndarjes dhe të shkëmbimit të territoreve. Unë jam duke folur vetëm për korrigjim të kufirit në mënyrë paqësore, dhe atë, në favor të Kosovës. Ndërsa, kundërshtuesit e këtij propozimi, propagandojnë për ndarje dhe shkëmbim të territoreve.

Në një situatë të tillë, vertet që nuk mbetet rrugë tjetër përveç fuqizimit të vendimmarrjës së qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke iu mundësuar atyre për të vendosur vetë se kush ka të drejtë dhe se cili opsion është në interes të Kosovës. Prandaj, është e domosdoshme që t’iu mundësojmë qytetarëve tanë të drejtën e referendumit, gjë që për të cilën jam duke punuar që të bëhet realitet.”