Thaçi insiston në idenë e korrigjimit të kufijve me Serbinë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka vazhduar ta promovojë idenë e tij për korrigjim kufijsh me Serbinë.

Në një postim në “Facebook”, i pari i Kosovës ka thënë se ideja për bashkëngjitje të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Kosovën është legjitime.

“E drejta e përfshirjes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Republikën e Kosovës është legjitime, korrigjim i padrejtësive historike dhe siguri për qytetarët e asaj treve për të jetuar në trojet e tyre”, ka shkruar ai.

Tutje, presidenti Thaçi ka përmendur edhe Milan Radojiçiqin, serbin e njohur në veriun e vendit për pushtetin që ai gëzon gëzon atje. Sipas tij, ideja e korrigjimit të kufijve “ka ndalur së realizuari angazhimet e sofistikuara që veriu i Kosovës t’i dorëzohet Milan Radojiçiqit”.

“Kjo përpjekje ka ndalur së realizuari angazhimet e sofistikuara që veriu i Kosovës t’i dorëzohet Milan Radojiçiqit, fillimisht pasuria e Trepçës, për të vazhduar me transformimin e pasurive shtetërore në ato komunale (katër komunat e veriut) dhe, po ashtu, ka parandaluar planet për sovranitet të dyfishtë dhe asociacion me mandat ekzekutiv, modeli i Republikës Serbe, pra autonomi rajonale”, shkroi Thaçi tutje në “Facebook”.

Ai ka thënë se vazhdon të besoj në idenë për korrigjim kufijsh, ndërsa ka bërë thirrje që jemi të bashkuar në këtë qëllim.

“Vazhdoj të besoj fuqishëm se Lugina e Preshevës duhet t’i bashkohet Kosovës dhe për arritjen e këtij qëllimi ne duhet të jemi të bashkuar. Humbja eventuale e kësaj mundësie, do të jetë gabim historik i pariparueshëm!”, përfundon postimi i presidenti Thaçi.