Presidenti Thaçi në takim me ekipin olimpik të Kosovës. Foto: Kallxo.com

Thaçi ia Dorëzoi Flamurin Ekipit Olimpik të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i dorëzoi sot ekipit olimpik të Kosovës Flamurin e vendit i cili do të valojë në Lojërat Olimpike Dimërore që do të mbahen në Kore të Jugut.

Thaçi tha se është lajm për të gjithë botën pjesëmarrja e Kosovës në këto lojëra olimpike.

Në këto gara, Kosova do të përfaqësohet nga skitari Albin Tahiri.

“Shpresoj se nuk do të jetë lajm vetëm pjesëmarrja, por do të kemi lajme edhe për fitimin e ndonjë medaljeje. Jemi besimplotë në përkushtimin, kreativitetin dhe talentin e ekipit i cili do të na bëjë krenarë të gjithë neve”, tha Presidenti Thaçi.

Ndërsa kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, tha se dorëzimi i flamurit te ekipi olimpik do të ndikojë në rritjen e motivacionit të ekipit i cili, sipas tij, është përgatitur jashtëzakonisht mirë.

Në ceremonisë e hapjes së Lojërave Olimpike është i ftuar të marrë pjesë edhe vetë Presidenti Thaçi.

Lojërat Olimpike do të mbahen nga 9 deri më 25 shkurt.