Thaçi i shkruan letër Trumpit, “Mbes i përkushtuar të arrihet marrëveshja me Serbinë”

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, më 4 Korrik, në përvjetorin e 243-të të Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, ia ka dërguar një letër homologut të tij amerikan, Donald Trump.

Në këtë letër, Thaçi ka shkruar se në këtë ditë, Kosova qëndron krenare si shteti më proamerikan në botë, duke i ndarë vlerat e përbashkëta dhe parimet e vizionin për një botë të lirë dhe të drejtë.

Thaçi ka falënderuar presidentin amerikan në emër të popullit të Kosovës për mbështetjen në kohërat më të rënda dhe për mbështetjen në rindërtimin e vendit dhe shoqërisë pas tragjedive dhe shkatërrimit nga lufta.

“Këtë 4 Korrik në Kosovë po e festojmë me inaugurimin e ambasadës së re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një testament ky i forcimit dhe thellimit të vazhdueshëm të miqësisë sonë dhe partneritetit tonë strategjik. Këtë vit Kosova përkujtoi 20 vjetorin e hyrjes së trupave paqeruajtëse të NATO-s, të udhëhequra nga SHBA-ja, për të na sjellë liri dhe paqe në Kosovë dhe në rajon. Ne mbesim përherë falënderues për mbështetjen tuaj në kohërat tona më të rënda dhe për mbështetjen tuaj në rindërtim in e vendit dhe shoqërisë sonë pas tragjedive dhe shkatërrimit nga lufta. Sot, ne punojmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në forcimin e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon”, thuhet në letrën e Thaçit.

Ai duke ju referuar letrës që Trump i kishte dërguar dhjetorin e kaluar, konfirmoi se mbetet i përkushtuar që të arrihet një marrëveshje paqësore përfundimtare me Serbinë, që siç ka shkruar Thaçi, do të sjellë paqe të qëndrueshme dhe stabilitet në mes vendeve tona dhe tërë rajonit.

“Në fazën kritike në këtë proces, më lejoni të theksoj se lidershipi dhe vizioni Juaj mbesin qenësor për këtë synim. Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, përfundoi Thaçi./21Media