Foto: Donjet Bislimi/Facebook

Thaçi i kthehet simbolit të PDK-së, e çon gishtin në takim me të rinjtë e partisë

Presidenti Hashim Thaçi kafen e mëngjesit sot ka vendosur ta pijë sot me të rinjtë e Partisë Demokratike të Kosovës, parti të cilën e ka drejtuar nga themelimi në vitin 1999 deri në vitin 2016 kur u zgjodh në krye të shtetit.

Ai sot është takuar me kryetarin e Rinisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimin.

Në fotografinë që e ka bërë publike Bislimi, Thaçi së bashku me të tjerët e bëjnë simbolin e partisë, me gishtin e ngritur lart.

Në të kaluarën, sa Thaçi kishte qenë në krye të partisë, simboli i partisë ka qenë gishti i madh i ngritur.

Hashim Thaçi si kryetar i PDK-së gjatë një tubimi parazgjedhor në vitin 2014. Foto: Hashim Thaçi/Facebook

Nëpër takime e fushata të ndryshme, zyrtarët e kësaj partie e bëjnë këtë simbol.

Presidenti i vendit, sipas Kushtetutës, pas zgjedhjes, nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike.

Hashim Thaçi është zgjedhur president në shkurt të vitit 2016 ndërsa e ka marrë funksionin e kreut të shtetit dy muaj më vonë.

Presidenti Hashim Thaçi dhe Donjet Bislimi duke pire kafen e mengjesit
Hashim Thaçi duke votuar, qershor 2014 Foto: Hashim Thaçi Facebook