Presidenti Thaçi takoi homologun e tij bullgar - Foto: Presidenca e Kosovës

Thaçi me Homologun Bullgar Flasin për Bashkëpunimin Ndërshtetëror

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka biseduar me homologun e tij bullgar, Rumen Radev, për thellimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimin e veprimeve për integrim të tërë rajonit në Bashkimin Europian.

Gjatë takimit të zhvilluar në Sofje, Thaçi e ka falënderuar presidentin Radev për përkrahjen që Bullgaria i ka dhënë Kosovës dhe është shprehur i gëzuar që ky vend do ta marrë kryesimin e BE-së.

“E mirëpresim kryesimin e Bullgarisë në kohë kaq të rëndësishme për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian”, ka thënë Thaçi sipas një komunikate të Presidencës. Presidenti i Kosovës ka thënë se “Bullgaria e kupton mirë rajonin, nevojat dhe aspiratat”.

Ndërsa, presidenti Radev tha se Bullgaria e kupton mirë që paqja e qëndrueshme në Ballkan do të thotë paqe e qëndrueshme në tërë Europën dhe konfirmoi se Bullgaria do të angazhohet për përfaqësim sa më të mirë të tërë Ballkanit, duke theksuar përgatitjet për Samitin e Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në muajin maj në Bullgari.

Sipas komunikatës, presidenti Thaçi theksoi se Kosova është e përcaktuar qartë për anëtarësim në NATO e BE dhe po punon për reforma, për integrim dhe dialog, si instrumente që çojnë në BE.