Foto: Kallxo.com

Thaçi: FSK është forcë profesionale dhe me standarde të NATO-s

Në vazhdimin e festimeve për 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, Presidenti Hashim Thaçiiu drejtua ushtarëve të FSK-së.

Me të hyrë në pjesën ku ushtarët të rreshtuar po e prisnin, Presidenti Thaçi bëri parakalimin e tij si komandant suprem.

Pas kësaj i njëjti iu drejtua obeliskut të të rënëve për liri, përkrah Ministrit të Mbrojtjes Rrustem Berisha dhe Gjeneral llejtnant Rrahman Ramës.

Pas homazheve, ai iu drejtua ushtarëve.

“20 vitet e përfundimit të gjenocidit dhe spastrimit të shtetit të Serbisë, 20 vite të lirisë dhe paqes, shënojmë kthimin e 1 milion qytetarëve të Kosovës në shtëpitë e tyre vazhdimin e rindërtimit të shtëpive tona, mbylljen e kapitullit të tragjedive dhe vuajtjeve dhe hapjen e kapitullit të shpresës dhe angazhimit për një jetë më të mirë”, tha ai.

Tutje tregoi edhe transformimin nga UÇK e deri më tani si Forcë e Armatosur.

“Nga aspirata dhe angazhimi  i popullit për liri keni lindur edhe ju, e kishim Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e transformuam në Trupat Mbrojtëse të Kosovës , e themeluam Forcën e Sigurisë së Kosovës e para pak muajsh morëm vendimin historik për themelimin e ushtrisë së Kosovës”, shtoi ai.

Komandanti Suprem i FSK-së, tha se FSK është e ndërtuar në standardet e NATO-s.

“FSK është e mishëruar me këtë dëshirë për liri me gatishmëri për të mbrojtur paqen, për çdo qytetar të Kosovës dhe çdokënd, të Kosovës në çdo cep të territorit. FSK sot është forcë profesionale e standardeve të NATO-s është forcë multietnike që në mënyrën më të mirë pasqyron atë që kemi arritur që kemi ndërtuar së bashku”, tha ai.

Ai shtoi se është realizuar aspirata për liri dhe shtet sovran.

“Rruga jonë nuk do të jetë e lehtë dhe e shpejtë por është e sigurtë, duhet të përfundojmë reformat në ekonomi, drejtësi e politikë.  Duhet të përmbyllim konsolidimin e brendshëm dhe ndërkombëtar të shtetit duke fituar edhe anëtarësimin në OKB. Kemi ndërtuar marrëdhënie me të gjithë fqinjët me Malin e Zi, Maqedoninë e Shqipërinë. I gëzohemi anëtarësimit të Malit të Zi dhe Maqedonisë në NATO dhe gjithashtu po punojmë seriozisht që edhe ne te jemi pjesë e NATO-s”, tha ai më tutje.

Madje ai përmendi se po punohet për marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë.

“Po punojmë edhe për marrëveshje finale gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme edhe me Serbinë”, tha ai.

“Dëshirojmë që të mbyllim kapitullin e konfliktit dhe tragjedive të shekujve të kaluar dhe të hapim kapitullin e ri të jetës në liri në barazi në zhvillim dhe prosperitet kjo është aspirate jonë e përbashkët është detyrë e jona dhe zotimi ynë për qytetarët e Kosovës”, shtoi presidenti Thaçi.