Takimi Thaçi-Katic | Foto: ZKM

Thaçi Flet për Ushtrinë me Ministren Sllovene

Gjatë takimit me ministren e Mbrojtjes së Sllovenisë Andreja katic Presidenti Thaçi, sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e tij, tregoi sesi do të jetë Ushtria e Kosovës.

“Ushtria e Kosovës do të jetë forcë profesionale, në përputhje me standardet e NATO-s, shumetnike dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidentit.

Sipas komunikatës, Thaçi ka folur edhe për bashkëpunimin mes dy shteteve.

“Kemi bashkëpunim të mirë bilateral, bashkëpunim politik, ekonomik dhe kulturor me vendet e rajonit, madje edhe me ato që nuk e kanë njohur Kosovën”, ka thënë presidenti Thaçi.

Komunikata bën me dije se e kënaqur me bashkëpunimin mes Sllovenisë dhe Kosovës është deklaruar edhe ministrja Katic.

Vitin e kaluar Presidenti Thaçi nisi procesin e transformimit të FSK-së me ndryshime ligjore, por më pas hoqi dorë nga kjo, pasi NATO-ja e BE-ja kërkuan që transformimi të bëhet me ndryshime kushtetuese.

Dje zëvendës-ndihmës sekretari i përgjithshëm i NATO-s për operacione, John Manza gjatë vizitës në Kosovë tha se Kosova nuk duhet të ngutet për ta transformuar FSK-në, por atë proces duhet ta bëjë me ndryshime kushtetuese.