Thaçi flet para takimit në Bruksel

Presidenti Hashim Thaçi para takimit në Bruksel me presidentin serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është e obligueshme për njëra- tjetrën.

“Sonte jemi këtu për të zhvilluar takimin e radhës për procesin final të mundësisë së arritjes së marrëveshjes së shtetit të Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje kjo ligjërisht dhe obliguese për njëra tjetrën në rrafshin ndërkombëtar një marrëveshje  gjithëpërfshirëse e cila nënkupton njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. E di se nuk do të jetë e lehtë, ka pengesa, ka ballafaqime por arritja e marrëveshjes është mundësia më e mirë për të lëvizur përpara drejt perspektives europiane të dy popujve tanë”, tha Thaçi.

Ai shtoi se do të bëjë përpjekje maksimale që të përafrojë qëndrimet në lidhje me marrëveshjen.

“Është mundësi e radhës e udhëhequr nga Mogherini prandaj dhe synimi i Kosovës është që të tentojë fqinjësi të mirë me të gjitha vendet edhe me Serbinë në mënyrë që të lëvizim në NATO e drejt Bashkimit Europian në mënyrë që të hapim perspektivë globale për shtetin e Kosovës”, shtoi ai.

Presidenti Thaçi gjatë ditës së sotme ka udhëtuar për në Bruksel për t’u takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ky dialog po udhëhiqet nga përfaqësuesja e lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri Federica Mogherini.