Thaçi e ripërsërit: Ideja për Luginën e Preshevës është e imja

Presidenti i vendit Hashim Thaçi në një intervistë dhënë për emisionin ‘Opinion’ në Televizionin shqiptar ‘Tv Klan’, ka deklaruar se është qesharake të mendohet ideja e përfshirjes së Luginës në Kosovë të jetë e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, apo e dikujt tjetër.

Thaçi ka ripërsëritur se ideja e për korrigjimin e padrejtësive historike siç e ka quajtur ai është e tij.

“Është qesharake të mendohet që ideja e përfshirjes së luginës në Kosovë të jetë e Vuçiqit apo e dikujt tjetër. Është fat që takimet dhe bisedat e mija me përfaqësues të Luginës janë të gjitha. Ideja për korrigjimin e padrejtësive historike është e imja personale. Jam angazhuar edhe në Berlin dhe do të angazhohem edhe sot që kjo të jetësohet”, ka deklaruar ai.

Presidenti Thaçi tutje ka deklaruar se presidenti serb Vuçiq nuk ka prezantuar asnjë ide.

“Vuçiq nuk ka prezantuar asnjë plan. Dallimi mes shkëmbimit të territorit, dhe idesë sime për korrigjim kanë dallime të mëdha. Më 1994, Presidenti Rugova e ka propozuar idenë për shkëmbim të territoreve. Ideja ime është vetëm për korrigjim të padrejtësive historike. Unë besoj në drejtësi në angazhimin që ajo pjesë mund t`i bashkëngjitet Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Ai tutje ka deklaruar se: “Vuçiq nuk ka deklaruar kurrë se ka qenë plani i korrigjimit të kufirit. Ajo që ka thënë ai është gënjeshtër e kulluar e tij ose nxjerrje e kontekstit nga gazetarët. Vuçiq nuk ka thënë ashtu, është nxjerre nga konteksti nga mediumet. Ideja ka lindur herët që në vitin 1990”.

Presidenti Thaçi ka deklaruar se temën për korrigjimin e kufijve e ka diskutuar me Vuçiqin, por siç ka deklaruar këtë nuk e kanë biseduar edhe me ndërmjetësuesen e dialogut Federika Mogherinit.

“Unë e kam prezantuar si ide dhe jo si plan të shkruar. Ia kam thënë Vuçiqit ndërkaq me Mogherinin nuk kemi biseduar diçka të tillë në tavolinë (për korrigjimin e kufirit)”, ka deklaruat presidenti Thaçi në emisionin ‘Opinion” të Blendi Fevziut në ‘Tv Klan’.

Thaçi kur është pyetur për Sali Berishën, i cili e ka quajtur ‘argat të Beogradit’ tha se: “Nuk dua të sjell armiqësi në skenën politike në Kosovë e Shqipëri. Nëse mendohet që Rusia ka interes që Lugina e Preshevës t`i bashkohet Kosovës, është injorancë. Ndjej keqardhje për gjendjen e tij emocionale, si një gërmadhë e skenës politike në Shqipëri”.

Thaçi për kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili ka deklaruar se ‘ka dyshime të bazuara që Thaçi – Rama e Vuçiq kanë pas bisedime për ndarjen e Kosovës’ i ka quajtur paragjykime.

“Dyshimi i bazuar ekziston për një prokuror, por jo dyshimi i kryeministrit për presidentin ose anasjelltas. Këto janë paragjykime për një grusht votë”, ka deklaruar presidenti Thaçi.