Hashim Thaçi I Foto: Kallxo.com

Thaçi për Demarkacionin: Të Mos Humbim Kohë në Çështje Sekondare!

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë sot se partitë politike në vend duhet të bëhen bashkë për të punuar për atë që ai e quajti agjendë evropiane të Kosovës.

Gjatë vizitës së tij në Janjevë, Thaçi u pyet nga gazetarët për rolin e tij në çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, meqë kjo temë nuk është mbyllur ende.

Madje, ratifikimi i demarkacionit nga Kuvendi është edhe një nga kushtet që Komisioni Evropian ia ka paraqitur Kosovvs para se ta marrë liberalizimin e vizave në zonën Shëngen.

Thaçi, në përgjigjen e tij, numëroi sukseset e Kosovës javën e kaluar me anëtarësimin në UEFA dhe marrjen e rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave ndërkohë që paralajmëroi anëtarëisimin e Kosovës edhe në FIFA të premten.

“Jam i bindur se edhe në të ardhmen, i gjithë spektri politik, për çka edhe i ftoj, do t’i bashkojë angazhimi në prioritete që janë në interes për shtetin, për të ardhmen evropiane se sa që të humbet kohë në çështje sekondare apo ndarëse”, tha Thaçi.

Sipas tij, ka shumë çështje të cilat e bashkojnë spektrin politik të vendit.

“Janë shumë çështje të cilat e bashkojnë gjithë spektrin politik, por para së gjithash e ardhmja evropiane është ajo që i bashkon të gjithë si shoqëri, si institucione me gjithë përkushtimin tonë që e kemi bashkërisht me ndërkombëtarët”, shtoi Presidenti.

Prandaj, ai tha se agjenda shtetërore e interes  të përbashkët “do të shtyhet nga të gjithë”.

Përderisa Hashim Thaçi foli për demarkacionin, Kuvendi i Kosovës ende nuk ka futur në agjendë se kur do të votohet marrëveshja për caktimin e vijës kufitare me Malin e Zi, e cila ka ngjallur tensione të mëdha politike mes opozitës dhe qeverisë që nga nënshkrimi i saj, në gusht të vitit të kaluar.

http://kallxo.com/demarkacioni-ende-jashte-agjendes/