Hashim Thaçi dhe Recep Tayyip Erdogan në Stamboll Foto: Facebook/HashimThaçi

Thaçi e Pacolli takohen me Erdoganin në aeroportin e ri të Stambollit

Presidenti Hashim Thaçi ka marrë pjesë sot në përurimin e aeroportit të ri të Stambollit, ku është takuar edhe me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan.

Thaçi ka publikuar disa fotografi nga ky takim me presidentin Erdogan, të cilin e ka uruar edhe për ditën e Republikës së Turqisë.

“Me liderë shtetesh në përurimin e Aeroportit të Ri të Stambollit, i cili pritet të shndërrohet në aeroportin më të madh në botë. Në emër të qytetarëve të Kosovës, presidentin Erdogan e urova edhe për Ditën e Republikës së Turqisë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili po ashtu ka publikuar foto nga takimi me presidentin turk.

Në këtë përurim ka marrë pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Gjatë përurimit të aeroportit të Stambollit Foto: Hashim Thaçi FacebookNjë aeroplan që ka transportuar presidentin Erdogan ka aterruar në aeroportin e ri, duke shënuar kështu fillimin e shfrytëzimit të këtij aeroporti – më i madhi në Europë.

Aeroporti i Stambollit pritet të shfrytëzohet nga 90 milionë pasagjerë në vit dhe kur të përfundojnë katër fazat e ndërtimit, më 2028, pritet të shfrytëzohet nga 200 milionë udhëtarë.