Presidentët hashim Thaçi e Ilir Meta gjatë takimit në Prishtinë. Foto: Kallxo.com

Thaçi e Meta, Deklaratë për Demarkacionin e Njohjen nga Serbia

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Shqipërisë, Ilir Meta, kanë nisur takimin e sotëm në Prishtinë me një deklaratë të përbashkët me të cilën kanë konfirmuar orientimin pro-europian të dy vendeve dhe angazhimin për fqinjësi të mirë në rajon.

Në Deklaratën që u është shpërndarë gazetarëve gjatë kohës sa dy presidentët po zhvillojnë takimin bilateral në Prishtinë Thaçi e Meta kanë shkruar se refuzojnë me vendosmëri “çdo alternativë tjetër që bie ndesh me projektet strategjike të integrimeve europiane dhe euroatlantike dhe nxisin veprim të koordinuar”.

Dy presidentët kanë konfirmuar se janë të përqendruar në përshpejtimin simetrik të proceseve të integrimit të të gjitha vendeve të rajonit që dëshirojnë të anëtarësohen në BE dhe NATO ngaqë “integrimi në BE dhe NATO mbeten procese thellësisht politike me ndikim të jashtëzakonshëm në përfundimin e proceseve të paqes në rajon”.

Përmes Deklaratës, Thaçi e Meta angazhohen edhe për hartimin e dokumentit strategjik për anëtarësimin e plotë të Kosovës në BE dhe NATO.

Ata gjithashtu angazhohen për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave ndërmjet BE dhe Kosovës, angazhimin e Kosovës që të bëjë çdo përpjekje të zgjidhë në mirëbesim dhe mirëkuptim të ndërsjellë çështjet që lidhen me marrëveshjen për shënjimin e vijës kufitare me fqinjin e saj, Malin e Zi si dhe vazhdimin e fazës përfundimtare të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, duke ftuar një angazhim të ripërtrirë të BE-së dhe pjesëmarrje të drejtëpërdrejtë të ShBA-ve, me qëllim të njohjes përfundimtare të Kosovës si shtet sovran dhe i pavaruar nga ana e Serbisë, si një proces që, sipas tyre, do të ketë efekte pozitive për gjithë rajonin.