Foto: ZKM

Thaçi e Haradinaj përkujtojnë të pagjeturit

Në ditën kur po kujtohen të pagjeturit, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shkruar se ata janë plaga më e rëndë e shoqërisë kosovare.

Thaçi mëngjesin e sotëm bëri homazhe te Obelisku memorial i të Pagjeturve i cili gjendet para Kuvendit të Kosovës.

‘Të pagjeturit janë plaga më e rëndë e shoqërisë sonë. Jo vetëm më 27 prill, por përherë jetojmë me mungesën e tyre dhe me dhimbjen për ta”, ka shkruar Thaçi.

Homazhe tek Obelisku memorial i të Pagjeturve bëri edhe Kryeministri Ramush Haradinaj.

Ai ka shkruar se të pagjeturit janë plagë e hapur e dhimbje e vazhdueshme.

“Të pagjeturit janë plagë e hapur dhe dhembje e vazhdueshme për secilin nga ne, tash e njëzet vjet. Institucionet e vendit nuk do të rreshtin së kërkuari të pagjeturit dhe drejtësi për viktimat e luftës. Plagët e luftës së fundit nuk mund të mbyllën dhe nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme pa ndriçimin e plotë të të vërtetës së luftës në Kosovë”, ka shkruar Haradinaj.

Përfaqësuesi i familjarëve të të pagjeturve, Bajram Çerkini tha se nuk është bërë mjaftueshëm nga shteti i Kosovës për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.