02.07.2019, foto: KALLXO.com

Thaçi e dekoroi me medalje presidenciale Skënder Gashin

Nën organizimin e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, është mbajtur mbledhje komemorative për vdekjen e veprimtarit të çështjes kombëtare dhe të LDK-së, Skënder Gashi.

Me këtë rast, presidenti i vendit Hashim Thaçi e dekoroi Gashin për kontributin e tij të dhënë në fushën e arsimit dhe shtet ndërtimit.

“Vlerësoj shumë kontributin e tij për liri, pavarësi, demokraci shtetndërtim me këshillat e tij të urta politike diplomatike por duke vlerësuar edhe kontributin e tij më arsim dhe rolin e tij diplomatik. Kam vendosur të ndaj medalje presidenciale të meritave. I ndahet Skënder Gashit për kontributin në fushën e albanologjisë dhe kontributin e tij në arsim, art, kulturë në rrafshin diplomatik dhe shtet ndërtim të Kosovë”, tha Thaçi.

Në këtë mbledhje fjalën e mori edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri o cili tha se personat si Gashi japin shembuj se si duhet atdheu.

“Kthimi i shtëpisë së tij në një seli të atdheut ishte shembulli më i mirë se si duhet të organizohemi karshi një okupimi të egër. Të vazhdojmë ta duam Kosovën, ta zhvillojmë Kosovën ashtu si baballarët e Kosovës e realizuan si Skender Gashi ”, tha Haziri.

Ndërsa, djali i Skënder Gashit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Dardan Gashi falënderoi të pranishmit dhe organizatorët për mbledhjen e organizuar me rastin e vdekjes së babait të tij.

Albanologu Skender Gashi ka vdekur pasditen e së enjtes.