Thaçi gjatë fjalimit | Foto: KALLXO.com

Thaçi: Dialogu i vështirë, por rrugë e vetme për ecjen përpara

Në konferencën në lidhje me dekadën e ardhshme të Kosovës Presidenti Hashim Thaçi dialogun me Serbinë në Bruksel e vlerësoi të vështirë.

“Dialogu do të jetë shumë i vështirë për Kosovën por jam i bindur që është rruga e vetme për të ecur përpara”, tha Thaçi.

Ai konstatoi se politika kosovare ka nevojë të reformohet.

“Politika kosovare ka nevojë për reformë të thellë. Këtë çështje po ua them partive politike”, deklaroi Thaçi.

Ai tha se beson “fuqishëm që edhe anëtarësimi në BE është i mundshëm”.

Presidenti në fjalën e tij bëri të ditur se pret konsolidim të shtetësisë kosovare.

“Kam besim të plotë që ditët e javët e ardhshme do të jenë vendimtare për konsolidim të shtetit. Kosova është storie e suksesit të plotë”, tha Thaçi.

Ai deklaroi se përkrah platformat e bisedimeve.

“Unë mirëpres platformat që po prezantohen nga liderët sa i përket aktualitetit politik në Kosovë dhe përpjekjet e një konsensusi për fazën finale mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Thaçi.