Kompleksi Memorial Marine

Thaçi dërgon këshilltarin t`i ndajë 158 medalje për heronjtë dhe dëshmorët e Skenderajt

Në Skenderaj është organizuar ceremonia për ndarjen e medaljeve për 158 heronjtë dhe dëshmorët, që janë dekoruar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ditën kur është përuruar kompleksi memorial në Marinë.

Edhe pse Thaçi i kishte dekoruar, ai sot nuk ka shkuar për të bërë ndarjen e medaljeve.

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka thënë se sot po e kryejnë një detyrë që është dashur ta kryejnë më herët.

“Sot ndihem me emocione të veçanta, me dhimbje të barabartë me juve, por në të njëjtën kohë krenar me juve për heronjtë. E kemi pasur për detyrë. Sot në këtë ceremoni dua ta falënderoj presidentin për vendimin. Shpresoj të mbledhim mend që të bashkohemi dhe ta ndërtojmë këtë vend. Vetëm atëherë mund të themi se po e jetësojmë veprën e dëshmorëve”, ka thënë ai.

Këshilltari i presidentit Thaçi, Ismajl Syla ka thënë se kjo ceremoni është vazhdim i 6 tetorit kur në Marinë presidenti i kishte dekoruar.

“Kjo ceremoni është vazhdim i 6 tetorit në Marinë, me ç’rast ndahen medaljet. Një gjë duhet ta keni parasysh, ju keni dhënë njerëzit më të shtrenjtë dhe ata janë themeli i shtetit. Duhet ta dini se jeni njerëzit më ballëhapur që rrini para atdheut”, ka thënë ai.

Nënkryetari i Shoqatës së veteranëve të luftës, Migjen Shala ka thënë se ushtarët e kësaj treve u përballën me luftëra dhe beteja të ndryshme.

“Sot përkujtojmë rrugëtimin e të gjithë dëshmorëve. Nuk do të mjaftojë vetëm përkujtimi, por duhet t’iu shpjegojmë gjeneratave të reja për historinë e luftës. Në Drenicë do të pushojnë 158 eshtrat e dëshmorëve”, ka thënë ai.