Thaçi: Delegacioni i ShBA-ve dhe ekipi negociator duan suspendimin e taksës

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi edhe gjatë ditës së sotme ka mbajtur takim me zyrtarët e lartë të SHBA-së  duke përfshirë edhe ekipin negociator.

Të pranishëm në këtë takim kanë qenë drejtorin kryesor për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Erath, drejtorin për Ballkan të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, Brad Berkley, si dhe me Ekipin Negociator të Kosovës, përkatësisht me zëvendëskryeministrat Behgjet Pacolli, Fatmir Limaj, Enver Hoxhaj, Dardan Gashi dhe me kryetarin e PSD-së, Shpend Ahmeti.

Në një njoftim të lëshuar nga presidenca është bërë e ditur se taksa ka qenë një ndër temat kryesore.

“Në këtë takim është biseduar për procesin e dialogut përfundimtar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për përgatitjet e këtij procesi dhe tejkalimin e pengesave aktuale, duke përfshirë këshillat e SHBA-së për domosdoshmërinë e suspendimit të përkohshëm të taksës dhe rifillimin e dialogut, si dhe për shtimin e përpjekjeve për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim presidenti i vendit ka ripërsëritur qëndrimin e tij se asnjë qëndrim nuk duhet t`i prishë raportet me SHBA-të.

“Po ashtu, presidenti Thaçi edhe në takimin e sotëm ka ripërsëritur qëndrimin se me asnjë kusht dhe në asnjë rrethanë, Republika e Kosovës nuk do t’i rrezikojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe miqësinë speciale me SHBA-në”, theksohet aty.

Në këtë njoftim poashtu bëhet e ditur se të gjithë anëtarët e ekipit negociator janë pro-suspendimit të taksës për t`i hapur rrugën dialogut.

“Të gjithë anëtarët e Ekipit Negociator kanë shprehur shqetësimin për veprimet agresive të Beogradit, por në të njëjtën kohë kanë shprehur edhe gatishmërinë e tyre për respektimin e këshillës së SHBA-së për suspendimin e taksës dhe rifillimin e dialogut në Bruksel”, thuhet në njoftim.

 

Enigmat e takimit të mbrëmshëm Thaçi- Mustafa

.