Presidenti Hashim Thaçi. Foto: Kallxo.com

Thaçi bën thirrje për pezullim të taksës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka ftuar partnerët e koalicionit që të shqyrtojnë mundësinë për pezullimin e taksës ndaj mallrave serbe.

Thaçi në emisionin “Debat” në RTK ka thënë se ata që mendojnë t’i injorojnë këshillat e ShBA-së e kanë gabim.

“ShBA nuk e ndryshon qasjen ndaj Kosovës por ata kanë këshilla ndaj politikave të gabuara të Kosovës, marrëdhënia me ShBA-në nuk mund të cenohet nga askush. Si president i ftoj partnerët e koalicionit t’i shqyrtojnë të gjitha mundësitë për pezullimin e përkohshëm të taksës ose reciprocitetin me Serbinë”, ka deklaruar Thaçi.

Presidenti Thaçi ka deklaruar se beson që viti 2019 do të jetë viti i marrëveshjes përfundimtare me Serbinë dhe se sugjerimi i ShBA-së është të pezullohet taksa që t’i hapet rrugë dialogut.

“Gjendja ku gjendemi është situatë e re, e pa menduar se do të ndodhë ndonjëherë. Ajo që dua të them se ne duhet të jemi mirënjohës ndaj ShBA-së, pa ta nuk do të ishim të lirë dhe të pavarur. Është një paradoks kemi të bëjmë me mos dëgjimin e këshillave t tyre dhe kemi kaluar në një situatë paradoksale me jo lojale ndaj ShBA-së dhe me këtë mos respektim të këshillave i kemi kaluar edhe vendet e tjera që kanë qenë në konflikt me ShBA-në”, ka shtuar Thaçi në intervistën në televizionin publik.

Më tej ai ka theksuar se taksa ndaj mallrave serbe është nxjerrë pa një konsultim e analizë.

“Këshilla ime ka qenë që të mos ketë nxitim”, ka shtuar Thaçi.