Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Foto: ZPRK

Thaçi: Askush S'ka të Drejtë të Mbajë Peng të Ardhmen Europiane të Vendit

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se dita e nesërme, kur do të mbahet seanca e jashtëzakonshme me të vetmen pikë – votimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, është ditë e veçantë për të ardhmen e Kosovës.

Në profilin e tij zyrtar në ‘Facebook’, Thaçi ka shkruar për vizitën e presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, si dhe ka bërë thirrje të votohet Demarkacioni.

Sipas Thaçit, askush nuk ka të drejtë të mbajë peng të ardhmen europiane të Kosovës.

Ky është postimi i plotë i presidentit Thaçi:

“Nesër është ditë e veçantë, por edhe tepër domethënëse për të ardhmen tonë evropiane. Për herë të parë, shtetin tonë e viziton presidenti i Komisionit Evropian, Junker, me delegacion të nivelit më të lartë.

Ata nga ne presin votimin e demarkacionit për të konfirmuar publikisht zbatimin e kritereve për liberalizimin e vizave nga institucionet e Kosovës.

Edhe një herë, si president i vendit, ftoj gjithë spektrin politik të përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës që në seancën e nesërme, pa dallim etnie, të votohet me unanimitet demarkacioni me Malin e Zi.

Qytetarët e Kosovës kanë nevojë imediate për lëvizje të lirë, si të gjithë evropianët e tjerë. Askush nuk ka të drejtë të mbajë peng të ardhmen evropiane të vendit.

As ata që pretendojnë me vu kushte të reja për votim dhe as ata që një anë shprehin vullnetin e mirë për votimin e marrëveshjes, mirëpo kërkojnë shtyrjen e votimit. Përveç votimit pro ratifikimit, gjithçka tjetër është vetëm një mashtrim.

Prandaj, besoj në përgjegjësinë e deputetëve se nesër do të mendojnë dhe votojnë në shërbim të qytetarëve, e asnjë prej tyre të futet në agjenda jo-evropiane.

Shtyrja eventuale apo mos votimi pro ratifikimit nesër, nënkupton konfirmim të izolimit të qytetarëve të Kosovës nga të zgjedhurit e saj, në ditën më të rëndësishme të vizitës nga Presidenti i Komisionit Evropian, Juncker“.