Tetë Vjet Shtet në ‘Jeta në Kosovë’

Emisioni “Jeta në Kosovë” sonte i kushtohet tetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe ecjes së shtetit që nga shpallja në vitin 2008.

“Jeta në Kosovë” kthen vitet mbrapa për të parë se cilat kanë qenë pritjet e kosovarëve ndër vite nga shteti që lindi pas përpjekjeve shumëvjeçare.

Cilat ishin festimet më të pazakonta të kosovarëve për shpalljen e pavarësisë? Si u ngjitën qytetarët në majën e Lubotenit, në mot të ftohtë, për ta vendosur flamurin, e si e festoi një amerikan pavarësinë e Kosovës në ditën e shpalljes, më 17 shkurt 2008?

Gjithashtu do të transmetohet edhe detaji se si u shënua ditëlindja e shtetit të ri “foshnje” te shqiptarët e Mitrovicës, mes shpresës dhe frikës.

Dhe tetë vjet pas!

Si u gjet Kosova në këtë ditë historike?

Si erdhi puna që në ditën më të madhe të shtetit, vetëm tetë vjet pas, në sheshet kryesore të Prishtinës të ketë shumëfish më shumë protestues sesa festues? Po ashtu, do të flitet edhe për “pelenat” e shtetit, i cili nuk është më edhe aq i ri.

Jeta në Kosovë sonte në RTK në orën 21:00 dhe repriza të nesërmen në mesditë.