Një çerdhe në Prishtinë | Foto: KALLXO.com

Tetë Çerdhe në Prishtinë Presin Zgjedhjen e Drejtorëve

Viti i ri shkollor ka filluar më 5 shtator të këtij viti ndërsa 8 çerdhe publike ende po presin përzgjedhjen e drejtorëve që është vonuar për shkak të pezullimit të konkursit në Komunën e Prishtinës.

Konkursi për përzgjedhjen e drejtorëve të institucioneve parashkollore dhe shkollore u shpall i përbashkët në prill të këtij viti.

Më pastaj u anulua dhe u rishpall më 28 qershor.

Konkursi për drejtorë të çerdheve me këtë rast mbeti pezull për shkak se mungonte përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit që parashihet të jetë pjesë e komisionit intervistues.

Komuna e Prishtinës për anulimin dhe vonesat  në këtë konkurs lë fajtor Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Shefi i Sektorit të Burimeve Njerëzore, Avni Zuka, tha për KALLXO.com se përfaqësimi i MASHT-it në komisionin intervistues ishte tërhequr duke bërë të pamundur vazhdimin e intervistave.

“Konkursi ka mbetur pezull për shkak se përfaqësuesja e Ministrisë së Arsimit që është dashur të jetë pjesë e komisionit intervistues është tërhequr, sepse nuk është pajtuar me ligjshmërinë e procesit, por kontestimi i tillë i procedurës nuk është kompetencë e Ministrisë, por e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës,” tha Zuka.

Ai shtoi se kërkesat e Drejtorisë Komunale të Arsimit për delegim të përfaqësuesve nga MASHT-it janë injoruar.

“ Ne kemi bërë kërkesë për delegim të një përfaqësuesi tjetër, por ende nuk kemi marrë përgjigje nga ministria,” deklaroi Zuka.

Megjithë insistimin e KALLXO.com, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë nuk u është përgjigjur pyetjeve rreth kësaj çështjeje.

Çerdhet momentalisht janë duke funksionuar me drejtorët paraprakë që po kryejnë funksionin e ushtruesve të detyrës, ndërkaq nuk dihet se edhe sa do të zgjasë procesi i përzgjedhjes, meqenëse ende nuk kanë filluar intervistat.