FOTO: Broshura, TC Kosova e Re, MZHE 2017

Tetë arsyet e VV-së pse nuk duhet ndërtuar termocentrali ‘Kosova e Re’

Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar qytetarët, punëtorët e sektorit të energjisë dhe specialistët, të kundërshtojnë ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’, të cilin e ka quajtur projekt rrënues nga Qeveria me kompaninë ‘Contour Global’.

Vetëvendosja projektin me ContourGlobal e ka quajtur projekt të dëmshëm, të stërshtrejntë, jo transparentë dhe me kosto shumë të lartë për ekonominë në Kosovë, ndërsa ka treguar 8 arsye, sipas tyre, se pse duhet të ndalohet ndërtimi i këtij termocentrali.

Këto janë 8 arsyet sipas Vetëvendosjes:

  1. 1.3 miliardë për 500MW [Kosova e Re] krahasuar për shembull me 210 milionë për 600 MW, [Rindërtimi i tre blloqeve të TC Kosovës A] – Kostoja mesatare e një blloku plotësisht të ri prej 1MW të energjisë elektrike nga qymyri, në botë, është rreth 1.4 milionë €/MW përderisa ContourGlobal na ofron 2.6 milionë/MW.
  2. 80€-96/MW çmimi i garantuar i blerjes nga Contour Global, krahasuar me 30€/MW nga KEK – me kontratën e re qeveria i garanton çmimin prej 80€ deri 96€/MW në vend se çmimi të jetë i rregulluar nga tregu në momentin e blerjes. Sa për ilustrim KEDS sot importon energjinë elektrike me çmim prej 60€-80€.
  3. Norma e kthimit prej 18.5% dhe garantimi i kredive nga Qeveria e Kosovës – Në kushte të ekonomisë së tregut norma e kthimit duhet të jetë pjesë e rrezikut që e merr çdo investitor, ndërsa në këtë rast qeveria i jep garanci fitimi pa asnjë rrezik ContourGlobalit. Qeveria merr edhe rrezikun e pagesës së kredisë për ContourGlobal po që se ai dështon ta paguaj kredinë.
  4. Rritja e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorë – Sipas analizave të ndryshme të pavaruara përfshirë Zyrën e Rregullatorit, ndërtimi i Termocentralit (TC) Kosova e Re do të ketë një impakt prej 45% deri në mbi 80% në rritjen e tarifave të energjisë elektrike. Këtë rritje do ia ngarkojnë qytetarëve qoftë drejtpërdrejtë përmes tarifave apo përmes buxhetit të Kosovës.
  5. 5-7 miliardë € – Kostoja totale energjisë elektrike nga TC Kosova e Re për periudhën prej 20 vjetësh, Kosovës do t’i kushtojë 5-7 miliardë € (bazuar në të hyrat e lejuara përgjatë 20 viteve) – e njëjta sasi e energjisë nga blloqet e rindërtuara të TC Kosova ka kosto prej vetëm 2.2 miliardë euro.
  6. Krijimi i ndërmarrjes fantome NKEC – Qeveria ka themeluar Ndërmarrjen e Re Kosovare të Energjisë “New Kosovo Energy Company [NKEC]” e cila do të blejë energjinë elektrike nga ContourGlobal me çmim prej 80€-96/MW e cila më pastaj do t’ja shes KESCO-s me çmim më të ultë se tregu. NKEC pra do të jetë “vrima e zezë” e buxhetit të Kosovës në dekadat e ardhshme.
  7. Çrregullimi i tregut të energjisë elektrike në vend – Në kundërshtim me të gjitha praktikat europiane dhe ligjeve në fuqi, qeveria i siguron pozicion monopolistik për ContourGlobal.
  8. Asnjë bllok i ngjashëm në rajon e më gjerë nuk është dekomisionuar por janë rindërtuar apo riparuar – Blloqet e rindërtuara të TC Kosova A do të kishin rritje të rendimentit mbi 20%, gatishmërisë me 7300 orë fuqi të plotë, siguri si bllok i ri dhe e sigurtë në raport me mjedisin. Rindërtimi realizohet për 4 vite, angazhohen vetëm 210 milionë euro e fitohen 3 blloqe nga 200 MW me koogjenerim.

Sipas Vetëvendosjes, projekti është zhvatje spektakolare e publikut me duart e qeverisë.