Foto: KALLXO.com. 09/07/2019

Afera e 'Noterisë', Tahiri nuk shkon në raportim para Komisionit për Legjislacion

Ministri i Drejtësisë, Aberald Tahiri nuk ka shkuar që të raportojë në Komisionin për Legjislacion në lidhje me provimin e noterisë.

Në mbledhjen e këtij komisioni, kryetarja Albulena Haxhiu tha se është hera e dytë që ai është thirrur dhe nuk ka shkuar.

“Është hera e dytë që ne e kemi thirr ministrin të raportoj dhe është hera e dytë që ai refuzon të jetë i pranishëm. Ai e ka për obligim te vijë dhe të raportoj në komision për kompetencat e ministrisë së tij. Ne përsëri do ta ftojmë. Propozim i Hajdar Beqes është që pika e dytë, raportimi i ministrit, të largohet nga rendi i ditës po unë mendoj se duhet të diskutohet”, tha ajo.

Edhe pse kërkesa e anëtarit të PDK-së, Hajdar Beqa që ministri Tahiri është nga partia e tij, ishte të largohet kjo pikë nga rendi i ditës, me katër vota për dhe katër kundër kjo pikë është lënë në rendin e ditës.

Anëtari tjetër nga VV, Sami Kurteshi tha se refuzimi i Tahirit për raportim në komision është skandal.

“ I tmerruar nuk jom se jam mësur me këto sjellje, ministri shprehimisht ka refuzuar të deklaroj para komisionit ky është nje skandal i radhës sepse ministrat e kanë për detyre të raportojnë para komisioneve”, tha ai.

Kurteshi tha se prokuroria duhet të hetojë provimin e noterisë derisa shtoi se ministri duhet ftuar edhe njëherë.

“Te provimi i noterisë e kam parë dhe kam lexuar në media, këtu ka vend për prokurorin, mirëpo kur i kam lexuar ato lidhjet e ndryshme të njerëzve që e kanë kaluar provimin e noterisë ma ka quar mallin si ajo çështja e zanatlive përpara, ata për shkak te kushteve dhe arsyeve tjera i kanë shti fmit e tyre në zanatë, tash në institucionet tona krijohet kjo praktikë. Mendoj se një përsëritje e ftesës është e ligjshme, ndërsa nga përvoja e deritanishme është krejt e kotë”, tha ai.

Anëtari Korab Sejdiu tha se ministri i Drejtësisë do duhej të pranonte ftesën e komisionit.

“Sa me kujtohet javën e kaluar ne te gjithë si komision vendosëm te përcjellim ftesën tek minsitri, arsyetimi ka qenë për shkak te agjendës, ndërsa për sot, ministri do të duhej te vinte dhe të diskutonte me ne, ai ka zgjedhur rrugën me te papërgjegjshme, pa marre parasysh cili ministër dhe nga cila parti vjen e ka për obligim te vije dhe te raportoj. Kisha kërkuar që nëse ministri nuk reflekton ne këtë aspekt të vazhdojmë me personin tjetër i cili është më lartë në hierarki”, tha Sejdiu.

Kurse anëtari nga PDK Hajdar Beqa tha se ministri nuk mund ta anulojë procesin e provimit.

“Nëse dikush ka fakte duhet me thirr edhe kryeprokurorin e shtetit edhe mu marr me këtë çështje. Nuk mundet ministri në këtë fazë me anulu procesin por duhet me u marr organet e drejtësisë”, tha ai.

Ndërsa, Albulena Haxhiu nga VV po pretendon se ka konflikt interesi në këtë test të noterisë.

“Kam kërku me pezulluar sepse shtrohet pyetja kush i ka përpiluar pytjet e testit, anëtaret e komisionit, a ka pas familjar po, kjo është konflikt interesi. Ky është konflikt i hapur interesi”, shtoi ajo.

Për këtë reagoi Beqa i cili tha se nuk po e mbron ministrin Tahiri, por procesin.

“Nuk jam ka e mbroj ministrin e Drejtësish por jam ka e mbroj procesin në tersi, unë të thash se nuk ke të drejt që në emër tendin personal ti dërgosh letër ministrit në emër të komisionit. Nuk kemi te drejt me hy në mes të provimit nuk kemi kompetencë por në fund të procesit kemi te drejte te kërkojmë nga Ministri dhe organet e drejtësisë të merren me te”, tha Beqa.

Anëtari nga PSD, Frashër Krasniqi tha se Tahiri do të duhej të vinte në komision.

“Për mu ikja e ministrit nga komisioni është tentim për mos me qenë transparent në këto procese Nëse procesi është real ministri do te duhej te vinte dhe te raportonte”, tha Krasniqi.

KALLXO.com kishte shkruar për dyshime të forta për keqpërdorime në testin e noterisë.

Dyshime të forta për keqpërdorime në testin e noterisë

.