Testi i Maturës - Foto: KALLXO.com

Testi i Maturës nis në Prishtinë

Në shkollat e rajonit të Prishtinës sot është mbajtur faza e parë e Testit të Maturës Shtetërore.

 

 

Edhe këtë vit nxënësit e klasave të 12-ta nuk kanë pasur të drejtë të posedojnë telefona me vete në testim, e megjithatë ky test edhe sivjet qarkulloi online në rrjete sociale.

Në terren megjithatë nxënësit nuk e shohin testin si proces të vështirë.

Nxënësi i Shkollë së Mesme “Ahmeti Gashi” , Agon Rexhepi, tha për KALLXO.com se testi në përgjithësi ka qenë i lehtë.

“Sa i përket pyetjeve më janë dukur interesante, pak më të lehta se sa kam pritur për shkak se ka ndodhur një ekzagjerim nga ana e mësimdhënësve dhe mediave, por nuk kanë qenë shumë të vështira. Në qoftë se kemi lexuar dhe kishin me qenë më të përgatitur mësimdhënësit. Ka pasur edhe pyetje që të kanë dhënë hapësirë me dhënë mendimin tënd dhe s’mu dok e arsyeshme”, tha Rexhepi.

Testi i Maturës 2019 – Foto: KALLXO.com

Ndërsa Aurora Temaj nxënëse e kësaj shkolle thotë se testi nuk mund të jetë i vështirë nëse ka përgatitje.

“Nuk ka qenë shumë i vështirë është dashur me mësuar edhe vetë, është dashur me pas më shumë vëmendje. Kanë qenë pyetje edhe më logjikë. Pres që secili me kalu mirë në këtë test dhe secili me shku në drejtimin e vet”, tha Temaj për KALLXO.com

Drejtori i kësaj shkolle, Elmi Reçica tha se testi ka filluar me kohë dhe janë zbatuar vendimet e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

“Gjithçka ka shkuar sipas urdhrave të MAShT-it ne kemi vepruar sot dhe administruesit, të gjithë janë në nivel, shpresojmë që as suksesi nuk do të mungojë”, tha ai.

“Testi ka filluar mirë dhe ka filluar me kohë në ora 10:00. Testit i janë nënshtruar 490 nxënës, gjithçka është në rregull dhe po shkon mbarë”, tha ai.

Shkolla “Gjin Gazulli” në Prishtinë – Foto: KALLXO.com

Ndërsa drejtoresha e Shkollës së Mesme Elektroteknike “Gjin Gazulli” Hajrie Shaipi tha se asnjë nxënës nuk ka hyrë në testim me telefon.

“Nuk është lejuar që hyjnë më telefona në klasë dhe besoj se cdo gjë do të shkojë si duhet. Fakt që telefoni është përdorur çdo vit dhe skemi pasur rezultate reale por këtë vit po shpresoj që ka me shku më mirë”, shtoi ajo.

Telefonat e nxënësve gjatë Testit të Maturës – Foto: KALLXO.com

Ministria e Arsimit ka thënë se  do të verifikohen nxënësit që rrodhën testin dhe do të bëhet anulimi i testeve të tyre.

Testi që pritet t’i nënshtrohen rreth 27 mijë nxënës është ndarë edhe këtë vit në regjione.