Foto: RTV 21

Tërnava shpreh keqardhje për djegien e katedrales 'Notre Dame'

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Myftiu Naim Tërnava, vizitoi sot ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert.

Në këtë takim, Tërnava shprehu keqardhje për djegien e katedrales “Notre Dame”.

Nga ana tjetër ambasadori i Francës Chabert, e falënderoi Myftiun për vizitën, duke theksuar se katedralja “Notre Dame” konsiderohet si simbol i kulturës dhe civilizimit të Evropës.

Sipas Bashkësisë Islame të Kosovës, ambasadori gjithashtu vlerësoi lart rolin, aktivitetin dhe kontributin e Myftiut Tërnava dhe të BIK-ut për promovimin e paqes, dialogut ndërfetar dhe bashkëjetesës së të gjitha komuniteteve.

Gjatë takimit, gjithashtu u bisedua edhe për mundësinë e bashkëpunimit në të mirë të qytetarëve. Katedralja Notre Dame ishte përfshirë më 15 prill nga një zjarr i madh që ka shkaktuar dëme të mëdha materiale. Shumë shtete, biznesmenë e emra të njohur janë zotuar se do ta ndihmojnë rikonstruktimin e kësaj katedraleje, duke dhuruar shumë parash./21Media