‘Termokos’ për dy vjet vendosi 13 kilometra gypa të rinj për ngrohje në kryeqytet

Ndërmarrja publike për furnizim me ngrohje në Prishtinë “Termokos” për dy vjet ka vendosur 13 kilometra gypa të rinj të ngrohjes nëpër kryeqytet.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com zëdhënësja e “Termokosit”, Afërdita Uka-Fejzullahu.

“Për dy vite me radhë NP “Termokos” Sh.A ka vendosur rreth 13 km gypa të rinj të ngrohjes nëpër qytetin e Prishtinës. Këta gypa janë vendosur nëpër të gjitha lagjet e Prishtinës në të cilat operojmë ne, përkatësisht në lagjen ‘Qendër’, ‘Dardania’, ‘Ulpiana’ dhe ‘Bregu i Diellit’”, thuhet në përgjigjen e saj.

Në anën tjetër, banorët e “Rrugës B” në Prishtinë, javën e kaluar janë ankuar se nuk kanë ngrohje qendrore në banesat e tyre edhe pse Komuna e Prishtinës kishte premtuar se ata do të kyqeshin në rrjet gjatë këtij viti.

Për këtë arsye ata po detyrohen që të ngrohen me pajisje me rrymë.

Prishtinë, banorët e ‘Rrugës B’ ankohen për mungesë të ngrohjes qendrore

Ndërsa “Termokos” kishte deklaruar për KALLXO.com se punimet për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në “Rrugën B” pritet të fillojë në pranverë të vitit 2019.

Kurse, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli në emisionin  “Jeta në Kosovë” këtë të enjte, kishte thënë se e kanë bërë rrjetëzimin e gypit për shpërndarje të ngrohjes në këtë lagje.

www.kallxo.com