Termokos me kyçje të reja për këtë sezon ngrohës

Ngrohësja e Prishtinës ‘Termokos’  ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për sezonin e ri të ngrohjes që do të fillojë me 15 tetor.

Sipas zyrtarëve të kompanisë, ngrohtorja ka kapacitete të mjaftueshme për të ofruar ngrohje kualitative për qytetarët e Prishtinës.

Afërdita Uka zëdhënese në Termokos, ka thënë për KALLXO.com se në këtë sezon ngrohës do të ketë kyçje të reja në disa institucione.

“Për këtë sezon ngrohës kyçje të reja në rrjetin e ngrohjes janë mundësuar vetëm për disa institucione: Administratën e QKUK-së, Departamentin për migracion të MPB-së, Stadiumin e qytetit “Fadil Vokrri”, ndërsa është në proces edhe kyçja e kuzhinës qendrore të çerdheve”, ka thënë Uka.

Sa i përket zgjerimit të rrjetit të ngrohjes, ajo ka thënë se janë në pritje që Komisioni Evropian të shpallë operatorin i cili do të fitojë tenderin për kryerjen e punimeve për zgjerimin ne rrjetit të ngrohjes, të cilat pritet të fillojnë në pranverë të vitit të ardhshëm.

Termokosi është furnizues me ngrohje qendrore për Komunën e Prishtinës, ndërsa sezoni ngrohës fillon me 15 tetor dhe mbaron me 15 prill të vitit të ardhshëm.