Termokos fajëson KEDS-in për ndërprejen e ngrohjes në kryeqytet

Ngrohja qendrore publike në Prishtinë,  Termokos ka njoftuar qytetarët e kryeqytetit se për shkak të ndërprerjeve të energjisë nga ana e KEDS-it, është ndalur furnizimi me ngrohje për disa orë

“NP Termokos -Sh. A.”, njofton opinionin e gjerë dhe konsumatorët tanë, se për shkak të ndërprerjeve të gjata dhe të paparalajmëruara të energjisë elektrike nga ana e KEDS-it, është pamundësuar furnizimi me ngrohje. Natën e mbrëmshme menjëherë pas mesnate për gjashtë orë me radhë është ndërprerë energjia elektrike. Ndërkaq, si pasojë e ndërprerjeve dhe vazhdimit të mungesës së energjisë elektrike edhe gjatë ditës së sotme për afro 10 orë, është dëmtuar sistemi i furnizimit me ngrohje, janë shkaktuar probleme të shumta dhe disa rrjedhje në rrjetin e ngrohjes”, është thënë në njoftimin e Termokosit.

Tutje në këtë njoftim është thënë se kjo situatë është shkatërruese për sistemin e ngrohjes qendrore dhe është e papranueshme.

“Ekipet tona janë mobilizuar menjëherë dhe janë duke bërë të pamundurën për evituar problemet e paraqitura dhe për të stabilizuar furnizimin me ngrohje. Kjo situatë dramatike është e papranueshme për “Termokos”-in dhe shkatërruese për sistemin e ngrohjes qendrore për funksionalizimin e të cilit janë shpenzuar miliona euro, shumë mund dhe përkushtim”, thuhet në njoftim.

Termokos ka shtuar se kjo nuk është hera e parë që kanë pasur ndërpreje të tilla gjatë sezonit dimëror.

“Rikujtojmë, se ndërprerja të tilla të paralajmëruara të energjisë elektrike kemi pasur disa herë gjatë këtij sezoni ngrohës. Në situata të tilla shkaktohen probleme të shumta dhe dëmtime të sistemit të ngrohjes qendrore, të cilat rrezikojnë seriozisht stabilizimin dhe vazhdimin e furnizimit me ngrohje. Me keqardhje të thellë, që pa dashjen tonë na është pamundësuar kryerja e misionit tonë kërkojmë mirëkuptimin e gjithë konsumatorëve”, përfundon njoftimi i tyre.

KALLXO.com ka kontaktuar  KEDS-in, për të marrë qëndrimin e tyre, mirëpo, zëdhënësi Viktor Buzhala ka kërkuar që t`ua dërgojmë pyetjet me shkrim, dhe deri këto momente ende nuk kemi pranuar përgjigjet nga KEDS.