Tentim-Vrasje në Gjilan e në Gjakovë

Dy persona janë arrestuar mbrëmë në Gjilan pasi të njëjtit dyshohen se kanë shtënë me armë në drejtim të njëri-tjetrit pas një mosmarrëveshjeje që kishin.

Sipas Policisë së Kosovës, si pasojë e këtyre të shtënave njëri nga të dyshuarit ka pësuar lëndime të rënda dhe i njëjti është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.

Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar një  pistoletë të tipit “Zvor” kalibër .65 mm, një karikator me 5 fishekë, dhe një gëzhojë kalibër 7.65 mm dhe një veturë, e cila dyshohet se është përdorur në rast.

Me vendim të prokurorit personi që dyshohet se ka përdorur armën është dërguar në mbajtje, ndërsa edhe i dyshuari i cili është duke u trajtuar në QKUK ka masën e ndalimit dhe është nën përkujdesje policore.

Sipas Policisë një tjetër tentim-vrasje ka ndodhur mbrëmë në Gjakovë.

Një rrahje e filluar mes disa personave për arsye ende të panjohura në një lokal të Gjakovës gjatë natës së mbrëmshme ka përfunduar me të shtëna me armë zjarri ku si pasojë ka mbetur i plagosur një person.

Sipas Policisë së Kosovës, njëri nga personat e përfshirë në rrahje ka shtënë në drejtim të viktimës dhe është larguar në drejtim të panjohur.

Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në spitalin e Gjakovës për tretman mjekësor.

Njësitet policore në vendin e ngjarjes kanë gjetur dhe konfiskuar 3 gëzhoja të kalibrit 7.65 mm, një fishek i të njëjtit kalibër si dhe një karikator.

Në vendin e ngjarjes gjithashtu njësitet policore kanë evidentuar edhe njolla gjaku.

Policia nuk raporton për ndonjë të arrestuar për këtë rast, teksa hetimi për zbardhjen e tij po vazhdon.