Foto: Ilustrim

Tentim-Vrasje në Gjilan e Ferizaj

Policia e Kosovës njofton se mbrëmë rreth orës 20:00 në Gjilan ka ndodhur një tentim vrasje. Pas ngjarjes janë arrestuar dy persona, të cilët sipas Policisë dyshohen se pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme kanë goditur me thikë në shpinë një qytetar të Gjilanit.

Viktima pasi është dërguar në Qendrën e Emergjencës Rajonale në Gjilan, për shkak të natyrës së lëndimeve është transportuar për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike Universtare në Prishtinë.

Njësiti i hetimeve dhe krim-teknikës pasi kanë dalë në vendin e ngjarjes kanë konfiskuar mjetin – thikë me të cilin dyshohet se është kryer vepra penale.

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve dhe më pas prokurori i shtetit ka marrë vendim për ndalimin e dy të dyshuarve për 48 orë.

Po ashtu, mbrëmë ka ndodhur një tentim-vrasje edhe në Ferizaj, në rrugën “12 Qershori”. Në këtë incident nga e shtëna me armë zjarri është plagosur, F.B.  28 vjeç nga fshati Brod i komunës së Shtërpcës, me punë në Angli.

Rasti nga Policia e Kosovës është kualifikuar si vrasje e mbetur në tentativë.

Viktima, me një plagë në pjesën e barkut, është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK në Prishtinë.

Policia në vendin e  ngjarjes ka gjetur një gëzhojë pistolete. Sipas raporteve të para të hetuesve policorë në vendin e ngjarjes rastit i ka paraprirë një rrahje në të cilën janë përfshirë së paku pesë persona nga të dyja palët e konfrontuara.

Policia pas hetimeve ka arritur të arrestojë të dyshuarin, N.Z.  nga Firaja e Shtërpcës me vendbanim në Ferizaj, ndërsa është në kërkim dhe të dyshuarve të tjerë, njëri prej të cilëve, vëllai i të arrestuarit, i dyshuar për shkrepjen e armës.

Dyshohet se motivet e konfliktit janë pasojë e çështjeve të pazgjidhura të një biznesi të përbashkët në Londër të dyja palëve.

Është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore lidhur me rastin.