Tentim Vrasje në Ferizaj

Sot rreth orës 4:45, Policia në Ferizaj është njoftuar për një rast të vrasjes së mbetur në tentativë që ka ndodhur në rrugën “Gursel dhe Bajram Sylejmani” të qytetit.

Policia citon viktimën me inicialet  D.I., 28-vjeç, i cili ka thënë se derisa ishte duke qarkulluar me veturën e tij në rrugën e lartcekur i dyshuari me inicialet D.H., 25-vjeç, me veturë i kishte bllokuar rrugën dhe në momentin kur viktima ka dalë nga vetura i dyshuari ka nxjerrë revolen dhe ka shtënë në drejtim të tij. Për fat, viktima nuk është qëlluar. Një plumb ka goditur xhamin e automjetit.

Policia në Ferizaj njofton se si rezultat i veprimeve të shpejta të hetuesve policorë është arrestuar personi i dyshuar.

Me këtë rast Policia ka gjetur dhe konfiskuar revolen “TT”, prodhim jugosllav, me katër fishekë në karikator, e cila  dyshohet se është përdorur nga i dyshuari.

Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit i është shqiptuar masa e ndalimit policor për 48 orë.