Tentim- Dhunimi në Ferizaj, Ngacmim Seksual në Gjakovë

Policia e Kosovës të enjten ka arrestuar dy persona për shkak të dyshimeve se në dy raste të ndara kanë për tentim-dhunim dhe ngacmim seksual.

Ngjarjet kanë ndodhur në Ferizaj dhe Gjakovë.

Togeri policor në Ferizaj, Basri Shabani,  tha për KALLXO.com se rasti ka ndodhur nga një i dyshuari i cili, sipas tij, është me të meta psikike dhe se policia ka kontaktuar me një psikolog për këtë rast.

“I dyshuari me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje. Jemi konsultuar edhe me një psikolog. I dyshuari paraqet rrezik dhe prish rendin e qetësisë publike në Ferizaj”, tha Shabani.

Ndërsa për rastin e ndodhur në rajonin e Gjakovës, Komandanti i stacionit policor, Krist Gjokaj tha se në rastin për ngacmim seksual të një vajze të mitur është i dyshuar një mjek.

“Ngjarja ka ndodhur dje dhe një mjek është i dyshuar për ngacmim seksual. Policia është duke e hetuar rastin”, tha Gjokaj për KALLXO.com.

I dyshuari në këtë rast është arrestuar dhe pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.