VIDEO - Tensione në Kukës, dy të lënduar

Pas tensionimit të situatës policia e Shqipërisë nxori nga ambientet e qendrës së votimeve apo siç njihet si KZAZ nr 11 e Kukësit materialet zgjedhore.

Dy persona mbeten të lënduar nga hedhja e gazit lotsjellës para KZAZ 11 në Kukës. Mësohet se policia ka hedhur gaz lotsjellës për të zbrapsur protestuesit.

Mbështetësit e opozitës po djegin goma para KZAZ, nr 11 të Kukësit në palestrën e gjimnazit të qytetit.

Përplasje dhe gaz lotsjellës – FNSH ka përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën që ndodhej para KZAZ.

Mbështetës të PD-së, policia bashkiake kërkojnë të hyjnë në KZAZ për të larguar materialet zgjedhore në mbështetje të dekretit të presidentit, ndërkohë që policia e shtetit dhe FNSH po përpiqen t’i ndalojnë.

Gazetari i RTV Ora informon se ka pasur debat mes policisë bashkiake dhe policisë së shtetit.

“Në momentin kur është tentuar të thyhet dera FNSH ka hedhur gaz lotsjellës” raporton oranews nga vendi i ngjarjes.

Kryetari i bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehi i kërkon policisë të mbështesë bashkinë dhe i bën thirrje qytetarëve për vetëpërmbajtje.

“Nuk mund të ketë zgjedhje pa dekret të presidentit dhe çdo veprimtari që po zhvillohet pas dekretit është e paligjshme. Kam kërkuar lirimin e ambienteve. Kërkoj nga policia zbatimin e ligjit dhe mbështetjen e bashkisë. U bëj thirrje qytetarëve për vetëpëmbajtje. Situata është e acaruar. Ministri i Brendshëm të marrë masa për zbatimin e ligjit në krah të qytetarëve. I bëj thirrje OSBE/ ODIHR të mbajnë një qëndrim”.