Gjykimi për vrasjen e Naim Hajrizit - Foto: KALLXO.com

Tensione në gjykimin për vrasjen e Naim Hajrizit

Seanca e sotme e gjykimit të Gëzim Retkocerit dhe Osman Spahiut, të akuzuar për vrasjen e Naim Hajrizit 10 vjet më parë, është përshkuar me tensione.

Mbrojtësja e të akuzuarit Gëzim Retkoceri, avokate Kosovare Kelmendi, ka prezantuar para trupit gjykues një procesverbal mbi marrjen në pyetje të klientit të saj dhe ka kërkuar që ky procesverbal të shpallet si provë e papranueshme nga ana e trupit gjykues.

“Propozoj që ky procesverbal i përpiluar në stacionin policor në Lipjan të shpallet si provë e papranueshme meqenëse i mbrojturi im Gëzim Retkoceri është marrë në pyetje në cilësinë e të dyshuarit për vepër penale të vrasjes së rëndë pa praninë e mbrojtësit dhe t’u ndalohet palëve në procedurë që t’i referohen këtij procesverbali meqenëse sa po shoh në gjykimin e kaluar të datës 07.04.2015 Prokuroria e ka ballafaquar me të njëjtin”, tha avokatja.

Prokurorja e çështjes Fikrije Fejzullahu lidhur me këtë propozim të avokates Kosovare Kelmendi ka kërkuar që të vërtetohet saktësia e nënshkrimit të të akuzuarit që figuron në procesverbal, pavarësisht asaj se a shpallet provë e pranueshme apo jo.

Mbrojtësja e të akuzuarit Retkoceri reagoi lidhur me përgjigjen e prokurores, duke iu drejtuar të njëjtës: “Shtini krejt manipulimet në një thes, prit t’i them krejt se kam shumë”.  Gjersa prokurorja i kundërpërgjigjet: “Mos m’kallxo mua çka me mbledh, mblidhi ti ato tuat!”.

Trupi gjykues me kryetar Vesel Ismajlin lidhur me këtë propozim të mbrojtëses së të akuzuarit Gëzim Retkoceri me vendim unanim e shpalli procesverbalin si provë të papranueshme, gjersa sa i përket saktësisë së nënshkrimit konstatoi se nuk do të lëshohen fare.

Situatë e tendosur ishte edhe mes përfaqësuesit të palës se dëmtuar, Halim Hajrizit dhe të akuzuarit Gëzim Retkoceri, kur mbrojtësja e të akuzuarit parashtroi pyetjen drejtuar të njëjtit se “a i ke ndihmu ndonjëherë motrës së të ndjerit”. Aty ka reaguar Halimi, vëllai i të ndjerit, Naim Hajrizi.

“Pse po rren? Ti ke marre pare për me çu atje”, tha Halimi në drejtim të të akuzuarit.

Avokatja Kosovare Kelmendi kërkoi përjashtimin e palës së dëmtuar.

“Kërkoj të përjashtohet pala e dëmtuar ose të konstatohet në procesverbal sepse edhe dje ma drejtoi gishtin”, tha avokatja Kelmendi.

Reagime pati edhe mbrojtësi i të akuzuarit Osman Spahiu, avokati  Ramë Dreshaj, i cili për një moment lëshoi sallën e gjykimit për shkak të, siç tha, fjalëve fyese nga ana e të akuzuarit.

Kryetari i trupit gjykues me qëllim të mbajtjes së rendit dhe qetësisë, i shqiptoi vërejtje të akuzuarit Gëzim Retkoceri.

Seanca e radhës mbahet më 9 korrik.

https://kallxo.com/fjalosje-ne-gjykimin-per-vrasjen-e-naim-hajrizit/

Prokuroria akuzon Gëzim Retkocerin dhe Osman Spahiun se më 29 prill 2009 më qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e kanë rrëmbyer tani te ndjerin Naim Hajrizi dhe pastaj e kanë goditur me mjete të forta duke e mbytur.

Spahiu dhe Retkoceri në korrik te vitit 2015 ishin dënuar me nga 30 vjet burgim por pas ankesës së mbrojtjes Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.