Tensione mes Kryetarit të Klinës dhe OJQ-së “Koha”

Kjo organizatë joqeveritare monitoron Komunën e Klinës në kuadër të projektit  “Për një Qytetari Aktive dhe Llogaridhënëse”, të përkrahur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara  të Amerikës.

Elbasan Racaj, koordinator i projekteve në OJQ-në “Koha” gjatë leximit të të gjeturave nga raporti vjetor i monitorimit të Komunës së Klinës, tha se kryetari Sokol Bashota nuk është transparent dhe llogaridhënës sa i përket raportimit të gjendjes financiare komunale.

“Ky raportim sipas Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, është dashur të bëhej dy herë brenda vitit. Kryetari i Komunës raporton një herë brenda vitit dhe atë vetëm për 20 minuta,” tha Racaj.

Kryetari Bashota raportin vjetor të OJQ-së “Koha” e cilësoi paragjykues.

“Këtë OJQ (Koha) po e quajmë jo raporti vjetori i monitorimit, por raporti vjetor i monitorimit dhe paragjykimeve,” tha Bashota.

Ai tha se me këtë raport e tërë puna e mirë e komunës është zhvleftësuar.

Bashota nuk pranoi as shpërblimin për punëtoret e dalluar të Komunës të dhënë nga ana e OJQ-së “Koha”. Ai injoroi ketë shpërblim me një shprehje alegorike popullore.

“Por kjo i bie që sikur kur të duash t’i shash dikujt pushkën, ia lavdëron rripin,” tha Bashota.

Mospajtimet e kësaj organizate joqeveritare me zyrtarë të Komunës së Klinës nuk janë të reja. Ato kishin arritur pikën kulmore kur një vëzhguese  nga OJQ-ja “KOHA” u pengua të marrë pjesë, në mbledhjen e Këshillit Për Siguri dhe Mbarështi, nga nënkryetari i Komunës së Klinës Enver Berisha.

Për këtë KALLXO.com raportoi në nëntor të vitit 2015.

http://kallxo.com/vazhdojne-mospajtimet-mes-ojq-se-koha-dhe-komunes-se-klines/

Në paraqitjen e raportit të OJQ-së “Koha” e pranishme ishte edhe Mishele Shoun, zyrtare për çështjet publike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo duke folur në gjuhën shqipe siguroi mbështetjen e SHBA-ve në krijimin e institucioneve demokratike. Shoun deklaroi:

“Në gjithmonë jemi përkrah Kosovës gjatë zhvillimit të saj ekonomik dhe ndërtimit të demokracisë,” theksoi Shoun.

Në raportin vjetor të “Kohës” u publikuan projektet komunale, dështimet e drejtorive, të arriturat e komunës dhe puna e Asamblesë Komunale.

KALLXO.com raportoi edhe në muajin shtator kur kjo OJQ publikoi raportin gjashtëmujor të monitorimit të Komunës së Klinës.

http://kallxo.com/monitorohet-komuna-e-klines-problem-mungesa-e-transparences/