Foto: Kallxo.com

Tenderi i KEK-ut, Dëshmon Ekspertja e Nënshkrimeve

Në gjykimin për tenderin rreth 6-milionësh për sigurimin e objekteve të KEK-ut sot ka dëshmuar Nadire Ibrahimi, eksperte e Agjencisë Kosovare të Forenzikës për dokumente dhe nëshkrime.

Ibrahimi ishte ftuar të dëshmojë në lidhje me nënshkrimet e punonjësve që nisën punën në kompaninë “Security Code”, e cila fitoi tenderin për sigurimin e objekteve të KEK-ut në vitin 2012.

Dëshmitarja tha se është eksperte e lartë për dokumente dhe dorëshkrime dhe më pas shpjegoi se si bëhet ekspertiza e dokumenteve dhe dorëshkrimeve.

Sa i përket ekspertizës së këtij rasti dëshmitarja Ibrahimi tha se rasti në fjalë në Agjencinë Kosovarë të Forezikës ka shkuar në qershor të 2013 dhe i është ndarë asaj.

“Ndërsa më 18 nëntor 2013 po ashtu në lidhje me këtë rast ka ardhur vetëm një dokument kontestues dhe në lidhje me ketë kam përgatitur një raport në gjuhën shqipe”, tha ajo.

“Unë qëndroj prapa ekspertizave të bëra në lidhje me këtë rast”, theksoi dëshmitarja.

Në pyetjen e avokatit Mentor Neziri, mbrojtësi i të akuzuarit Esat Tahiri, se a ndikon gjendja psikike në paraqitjen e nënshkrimit, ekspertja pohoi ndikimin e gjendjes psikike.

Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com

 

Pasdite në gjykimin për tenderin e KEK-ut dëshmoi Jeton Lushtaku, ish-menaxher në kompaninë e sigurimeve “Security Code” për zonën e Prishtinës.

Lushtaku deklaroi se në lidhje me këtë rast ka dhënë dëshmi një apo dy herë.

Ai tha në gjykatë se punën në këtë kompani të sigurimit fizik e nisi në vitin 2012.

“Punën në ‘Security Code’ e kam filluar në vitin 2012 dhe në fillim kam punuar si patrullë, inspektor e mandej si menaxher ne zonën e Prishtinës”, tha dëshmitari Lushtaku.

“Unë e di që në 2012 kompania “Security Code” ka aplikuar për një tender në KEK dhe unë nuk kam qenë i involvuar ne të”, tha Jeton Lushtaku.

Dëshmitari Lushtaku tregoi se nuk e di se çka është deklarata e ekskluzivitetit dhe të njëjtën nuk e ka parë.

Po ashtu, Lushtaku tha se sa ka punuar ai në kompaninë “Security Code” asnjëherë s’e ka parë që ka qenë aty në zyrat e kompanisë i akuzuari Sami Lushtaku.

Në këtë rast gjyqësor Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku akuzohen për veprën penale mashtrim, ish-drejtori i prokurimit, Driton Pruthi; drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj; ish-kreu i OSHP-së, Hysni Hoxha akuzohen për keqpërdorim të pozitës ose autorizimit zyrtar, ndërsa kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për shtytje në keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Azem Duraku akuzohet për nxitje në keqpërdorim.

Hetimet lidhur me këtë rast kishin filluar më 5 tetor 2012, ndërsa aktakuza ishte ngritur më 16 janar 2015.

http://kallxo.com/deshmitari-nuk-bisedova-sami-lushtakun/