Telekomi nuk e vazhdon kontratën me Z-Mobile

Kryetarja e bordit të Telekomit, Besa Shatri Berisha, ka njoftuar se kontrata me Z-Mobile nuk do të vazhdohet.

Ajo ka thënë shkëputja e kontratës ka ardhur si pasojë e mos arritjes së marrëveshjes për vazhdim pas gjashtë muajsh negociata.

“Bordi i drejtorëve njofton se pas një periudhe 6 mujore nuk kanë arritur marrëveshje mbi kushtet e reja prandaj sot, Kryeshefi Ekzekutiv ka dërguar njoftim me vendim të Bordit për shpallje të pasuksesshme, për përfundim të kontratës me Z Mobile nga data 31 korrik”, ka thënë Shatri Berisha.

Borxhi milionësh dhe negociatat për kontratën

Ndërmarrja publike dhe Z Mobile kishin nënshkruar marrëveshje në janar të vitit 2009 me të cilën Z Mobile bëhej operator virtual i Telekomit.

Mospajtimet mes këtyre palëve përfunduan në Arbitrazh. Si rrjedhojë, këtë vit, 10 vite pas marrëveshjes, Telekomi gjendet para një borxhi rreth 26 milionë eurosh ndaj Z Mobile.

Më 4 maj të këtij viti kompania Z Mobile ka paralajmëruar kompaninë publike Telekom se do ta dërgojnë borxhin prej rreth 26 milionë euro në përmbarim.

Në atë situatë, Kryesuesja e bordit të Telekomit tha se borxhi mund të kushtëzojë edhe vazhdimin e kontratës me Z Mobile.

Më pas Z Mobile shtyu afatin për pagesë deri më 15 qershor 

Telekomi i Kosovës tani po synon të hyjë në kredi për të paguar borxhin ndaj biznesit të Blerim Devollit, Z-Mobile.

Në këto momente, Z Mobile e ka jetësuar paralajmërimin dhe ka inicuar procedurë të përmbarimit ndaj Telekomit.

Në anën tjetër, menaxhmenti i Telekomit është zotuar se nuk do të ketë  vazhdim të kontratës me Z Mobile.

Punëtorët e kësaj ndërmarrje kanë dhënë ultimatum që të ketë zotim me shkrim për mosvazhdimin e çfarëdo kontrate me këtë kompani, ndryshe futen në grevë të përgjithshme.

Arbitrazhi 

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.