Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi - Foto: KALLXO.com

Telefoni i Lumezit u Tentua 'të Shitej'

“E kam një telefon nëse don me e marr”.

Ky pretendohet të jetë njëri nga muhabetet e para të cilin e kishin bërë të dyshuarit për vjedhjen e telefonit në shtëpinë e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, pak orë pasi kishin dalë nga shtëpia e tij.

Vjedhja ka ndodhur më 22 nëntor në orët e hershme të mëngjesit ndërsa dy oficerë policorë janë suspenduar për shkak të neglizhencës në këtë rast.

Kështu të paktën ka rrëfyer në polici njëri nga personat e arrestuar gjatë ditës së sotme.

Në një intervistë ekskluzive për KALLXO.com, avokatja Fetije Uka që është mbrojtëse e të dyshuarit M.G. ka shpjeguar deklaratat e klientit të saj të dhëna gjatë marrjes në pyetje në polici.

Sipas avokates, klienti i saj është një recidivist por “nuk ka gisht në ngjarje”. Ajo pretendon se klienti i saj  është takuar me të dyshuarit pasi ata e kishin kryer veprën.

Siç përshkruan avokatja, miqtë e të dyshuarit, njëri prej të cilëve thuhet të jetë kushëri i tij, pasi kishin pirë kafe, i kishin treguar klientit të saj një telefon të cilin i kishin thënë se “e kanë marrë në Veternik”.

“Pasi është kthy në shtëpi, klienti im i ka dëgju lajmet dhe i ka thirrë në telefon dhe i ka pyet se mos është ai telefoni që ma treguat, telefoni për të cilin po flasin mediat”, tha avokatja Uka për KALLXO.com.

http://kallxo.com/lumezi-nuk-eshte-kryeprokurori-pare-qe-vidhet-shtepia/

Ajo tha se klienti i saj “nuk e ka prekur telefonin e as nuk ka gisht në këtë ngjarje” përderisa shtoi se nuk është në dijeni për fatin e telefonit i cili është vjedhur në shtëpinë e Kryeprokurorit.

Gjatë ditës policia njoftoi për arrestimin e një grupi të të dyshuarve të cilët besohet se kryen vjedhje në shtëpinë e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi.

Polica njoftoi se ka zbuluar një varg provash materiale por nuk dha detaje nëse ka arritur të gjejë vendndodhjen e telefonit të vjedhur të kryeprokurorit të shtetit.

Menjëherë pas incidentit të vjedhjes, në shtëpinë e Lumezit janë vendosur kamera të sigurisë.

http://kallxo.com/pas-vjedhjes-shtepia-e-lumezit-pajiset-kamera/