Telefoni i Prishur i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit

Stina e verës zakonisht rrit edhe numrin e produkteve ushqimore të prishura por kosovarët që paguajnë nga taksat e tyre një institucion që merret me mbrojtjen nga produkte të tilla, nuk kanë ku të raportojnë nëse gjejnë ndonjë rast të tillë.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk e ka në funksion numrin kontaktues përmes të cilit qytetarët mund të paraqesin ankesat e tyre ose të raportojnë për ndonjë parregullsi.

Numri 0800 111 22 është numri ku qytetarët do të mund të ankoheshin në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë nëse hasin në ndonjë mall të prishur apo me afat të skaduar gjatë blerjeve të tyre, mirëpo ky numër është jashtë funksionit dhe pavarësisht kësaj vazhdon të qëndrojë i ekspozuar në faqen zyrtare të kësaj agjencie.

Një qytetar ka raportuar në KALLXO.com se ka provuar ta raportojë një rast në këtë agjenci por nuk ka arritur ta bëjë këtë.

KALLXO.com e ka vërtetuar se ky numër nuk funksionon ndërsa zyrtarë të AVUK nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje.