Telashet e një Mërgimtari me Pronën që Ndërroi me Komunën

Ferat Selimi ndërroi pronën e tij në Skenderaj me një pronë komunale, por doli se prona që mori nuk ishte e komunës.

Ferat Selimi që jeton e punon në Norvegji ishte marrë vesh me Komunën e Skenderajt që t’ia japë asaj truallin prej 10.60 arësh, ndërsa të marrë pronën komunale për 6.60 arësh.

Të dy këto prona ndodhen në qendër të Skenderajt, por ajo që mori Selimi ka lidhje me Sheshin “Adem Jashari”.

“Këmbeva pronën time ekzistuese prej 10.60 ari tokë me një pronë prej 6.60 ari tokë. Në rastin konkret komuna përfitoj pothuajse dyfishin e asaj që më ofroi. Prona me të cilën bëra ndërrimin ishte e një kompanie, pas kërkesës së kryeshefit ekzekutiv kompania në fjalë dha pëlqimin të bëjmë ndërrimin e pronës në mënyrë që të legalizohej,” tregon Selimi.

Ai dëshironte që në pronën që ndërroi me komunën të ndërtojë në hotel, por doli se toka nuk ishte pronë komunale.

Selimi ankohet kur flet për KALLXO.com se objekti i hotelit i mbeti në shtylla betoni, pasi inspektorati komunal ia ndaloi punimet.

Edhe zëdhënësi i Komunës së Skenderajt Hajriz Koci pranon ujdinë me Selimin për ndërrimin e pronave.

“Kjo parcelë ju ka dhënë zotëriut Selimi në kompensim më një pronë tjetër, mirëpo më vonë është vërtetuar se ajo pronë nuk i takon komunës. Kjo është elementi i parë dhe elementi tjetër është se zotëri Selimi nuk e ka realizuar kontratën ashtu qysh e ka me komunën,” tha Koci.

Por Selimi tha se pasi iu ndalua puna, nuk mundi ta realizojë kontratën, pasi nuk iu mundësua ndërtimi i hotelit.

Çështja ka shkuar në Gjykatën Themelore të Mitrovicës-dega në Skenderaj, por aty Selimi e ka humbur rastin.

KALLXO.com kontaktoi me këtë gjykatë, por përfaqësues të saj nuk komentuan këtë çështje, por vetëm treguan se ankesa e Ferat Selimit ka shkuar në shkallë të dytë, ku ende është në proces.

Selimi thotë se që 3 vjet është përballur me arrogancën e Komunës së Skenderajt, pa e ditur ende arsyen se pse u shpronësua nga toka që ndërroi me komunën.