Autostrada Prishtine - Hani i Elezit Foto: KALLXO.COM

Teksti i rezolutës së propozuar për 53 milionët shtesë të autostradës

Deputeti Liburn Aliu, ka lexuar pikat e rezolutës pas debatit disaorësh në interpelancën rreth 53 milionëve shtesë të paguara për kompaninë Bechtel- Enka për austostradën Prishtinë- Hani i Elezit.

Aliu është shprehur se jam i gatshëm ti ri diskutojnë të gjitha dhe me të gjithë pikat e rezolutës.

“Brenda 5 dite qeveria ose Ministria e Infrastrukturës ta sjell në Kuvend dosjen e plotë studimi i fizibilitetit për ndërtimin e autostradës R6, kontratën me Bechtel and Enka, pasqyrat e pagesave nga thesari për çdo këst letërkëmbimin, kërkesat dhe përgjigjet midis qeverisë dhe Bechtel Enka për borxhin e pretenduar.

Të paraqes me shkrim menjëherë pas miratimit të kësaj rezolute në Kuvendin e Kosovës arsyet e pagesës së 53 milion euro shtesë për këtë projekt.

Zyra e auditorit të përgjithshëm të hartojë raport të auditit për zbatimin e kësaj kontrate dhe mbikëqyrjen e saj nga qeveria e RKS, MI dhe MF.

Qeveria menjëherë pas miratimit të kësaj rezolute t’i paraqesë me shkrim në kuvend të RKS koston përfundimtare të projektit të autostradës Ibrahim Rugova.

Qeveria e Kosovës ta paraqes në kuvend raportin e mbikëqyrjes së autostradës Ibrahim Rugova.

Qeveria e Kosovës të publikoj në faqen zyrtare kontratat dhe dokumentet e plota të këtyre autostradave dhe çdo projekti të tillë të miratuar nga qeveria dhe MF”, tha Aliu.

Deputeti Zharku tha se do t’i shqyrtojnë rekomandimet së bashku me deputetin Aliu.

Grupet Parlamentare janë dakorduar të krijojnë një grup punues për t’i harmonizuar pikat e rezolutës.

Ndërkaq, seanca e Kuvendit i ka ndërprerë punimet për ditën e sotme. Kohën e vazhdimit të seancës do ta vendos kryetari i Kuvendit të Kosovës.