Foto-ilustrim

Tekniku i pylltarisë i Suharekës del para gjyqit

Tekniku i pylltarisë pranë Drejtorisë për Bujqësi në Komunën e Suharekës, Muharrem Basha, ka dalë sot para Gjykatës së Prizrenit për t’u përgjigjur për akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria e Prizrenit po pretendon se Basha kreu vepër penale duke e pajisur më 13 korrik 2018 një qytetar me fletë-përcjellje, duke i mundësuar atij transportin e papenguar të thëngjillit të dedikuar për treg.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja Ervehe Gashi, Muharrem Basha në cilësi të personit zyrtar ka shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare dhe i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe ka pasur qëllim që dikush tjetër të përfitojë çfarëdo dobie pasurore.

Prokuroria po konsideron se i pandehuri Basha me dashje ka shkelur ligjin lidhur me detyrat e tij, duke vepruar në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Bujqësisë. Gjithashtu, i njëjti, sipas Prokurorisë, ka shkelur edhe Ligjin për Pyjet të Kosovës.

Të gjitha këto ligje rregullojnë transportin e masës drunore dhe prerjen e tyre.

Sot është mbajtur seanca e parë gjyqësore dhe i akuzuari ka mohuar akuzën që i vihet në barrë.

Kur u pyet nga gjyqtari i rastit Artan Sejrani se a e pranon fajësinë për veprën penale, Basha u përgjigj shkurt: “Jo”.

Seanca e radhës është caktuar për më 7 maj, kur i akuzuari dhe mbrojtësi i tij avokati Bashkim Nevzati do t’i paraqesin Gjykatës kundërshtimet për provat dhe kërkesën për hedhje të aktakuzës.

Pak kohë më parë, në Gjykatën e Prizrenit dy rojeve të pyllit nga Suhareka iu është shqiptuar dënim me 6 muaj burgim efektiv dhe gjobë në shumën prej 1.500 euro.

https://kallxo.com/denim-i-rende-per-rojtaret-e-pyllit-qe-moren-100-euro-ryshfet/?fbclid=IwAR10j4Yq6nGjZlgRLkshUn9Mntaf6PLSPFI5EVU4rwP19OQlNbfASE8dSIs

Kjo sepse ata akuzoheshin për marrje ryshfeti në shumën prej 100 euro.