Do të Vlerësohet Shtëpia ku Jetoi Shyhrete Berisha

Në seancën e zhvilluar të premten, Naim Qelaj, avokati i Shyhrete Berishës propozoi që t’i caktohet vlera materiale shtëpisë ku Shyhrete Berisha jetoi me familje deri në vitin 1999.

Gjykata Themelore e Prizrenit-Dega në Suharekë e miratoi këtë propozim, duke caktuar një ekspert ndërtimtarie për vlerësimin e shtëpisë.

Në gjykatë dëshmoi Xhelal Berisha, kunati i Shyhretes që tha se familja e gjerë Berisha jetoi bashkë pa ndarë pasurinë.

“Së bashku me Shyhrete Berishën kam jetuar në bashkësi familjare deri në vitin 1999 dhe nuk e kemi pasur të ndarë pasurinë e familjes. Nuk qëndrojnë pretendimet e palës paditëse se pasuria ka qenë e ndarë në vitin 1997,” tha Xhelal Berisha.

Avokati Naim Qelaj pastaj e pyeti Xhelal Berishën se kush ka kontribuuar për ndërtimin e shtëpisë të cilën po e kërkon Shyhrete Berisha.

“Kjo shtëpi është ndërtuar me kontributin e prindit tim, i cili ka jetuar 20 vjet në kurbet, kontributin e tij, që ka punuar si mësimdhënës dhe auto-transportues dhe djalit të vëllait Fatonit,” u përgjigj Xhelal Berisha.

Ai tha se Nexhat Berisha, vëllai i tij dhe bashkëshorti i Shyhretes ka kontribuuar në këtë shtëpi vetëm sa ka qenë në punë deri në vitin 1990 kur është larguar nga puna.

Xhelal Berisha më tutje deklaroi se “Shyhrete Berisha ka qenë e plagosur dhe e traumatizuar nga lufta dhe pas luftës asnjëherë nuk ka ardhur në këtë shtëpi”.

Përveç Xhelal Berishës në seancë dëshmuan edhe edhe Arben, Xhevdet e Reshat Berisha dhe ish-punëtori i OSBE-së Shkëlzen Suka.

Arben Berisha tha se prej vitit 1995 ka qenë jashtë Kosovës dhe familja sipas tij ka jetuar në bashkësi.

Dëshmitari Xhevdet Berisha, tha se “nuk e din a kanë qenë të ndarë djemtë e Faik Berishës, por tha se biseda ka pasur në këtë drejtim”, ndërsa dëshmitari Reshat Berisha vetëm me fjalët “nuk e di” iu përgjigj pyetjeve të avokatit të Shyhrete Berishës.

Reshat Berisha, përveç që dëshmoi, kërkoi nga paditësja Shyhrete Berisha pagesën e shpenzimeve për ditën e tij të humbur në gjykatë, ndërsa gjykata e obligoi paditësen që t’ia paguajë Reshat Berishës 20 euro në emër të shpenzimeve.

Por Reshat Berisha i kërkoi 200 euro, pasi tha se gjykata në ftesë ia ka tërhequr vërejtjen që nëse nuk vjen si dëshmitar do të gjobitet me 200 euro.

Avokatja e Arben Berishës, Shpresa Berisha, tha pas seancës për KALLXO.com se nga të gjithë dëshmitarët sot u vërtetua se nuk ka pasur ndarje të familjes së Faik Berishës.

“Është për t’u veçuar se pothuajse nga të gjithë dëgjuam se ndarje nuk ka pasur të djemve të Faik Berishës dhe të njëjtit deklaruan se i nënshtrohen vullnetit të fundit të Faik Berishës, të cilin vullnet me testamentin gjyqësor e ka caktua pas vdekjes së tij,” tha avokatja Shpresa Berisha.

Shyhrete Berisha i ka mbijetuar masakrës së familjes Berisha të 26 marsit 1999 në Suharekë, në të cilën asaj iu vranë bashkëshorti dhe katër fëmijët, më i riu prej të cilëve ishte kishte më pak se dy vjet, ndërsa vetë ajo mbeti e plagosur.

Mirëpo, pas luftës, më 2001 ajo nisi një betejë gjyqësore me kunatin e saj, Xhelal Berisha, i cili i mori shtëpinë në të cilën Shyhretja kishte jetuar me familjen e saj deri në ditën e masakrës.