Të rinjve s`u interesojnë shkencat teknike

Të rinjtë e Kosovës, të cilët sapo kanë përfunduar shkollimin e mesëm, nuk janë edhe aq të interesuar që në fakultet t’i studiojnë shkencat teknike.

Këtë e ka bërë të ditur profesori universitar në Fakultetin Teknik, Blerim Rexha.

Pasi sot përfundon afati i aplikimit të maturantëve në Universitetin e Prishtinës, Rexha përmes Facebook-ut ka shkruar se  edhe për shkencat teknike, sikurse viteve të kaluara, interesimi i të rinjve ishte i vogël.

“Në tri fakultet teknike së bashku aplikuan gati sa në juridik, më pak se në ekonomik, dhe shumë më pak se në filozofik dhe në edukim! Por një pjesë (të madhe) të fajit për këtë mosinteresim të të rinjve për shkenca teknike e bartim vet, ne profesorët e fushave teknike. Nëse analizohen me kujdes të gjitha 15 programet e ofruara në fakultetet teknike, lehtë mund të konkludohet se për disa programe interesimi është më i madh se për shkenca shoqërore! Por, për disa programe të tjera, interesimi nuk përmbush as 20% e planifikimit të profesorëve! Çfarë huqje “akademike” prej 80%!”, është shprehur ai.

Rexha më tej shton se mosinteresimin e maturantëve për shkencat teknike, sipas tij duhet ta marrim me seriozitet udhëheqësit universitarë dhe profesorët.

“Sikur të vlerësohej, sikurse në provim, ky interesim që në fakt paraqet dëshirën e profesorëve ndaj kërkesave reale të tregut, atëherë shihet se disa programe janë të shkëlqyeshme, disa janë të mira dhe pjesa tjera nuk e kalojnë provimin (me aplikues më pak se 50% ?). Udhëheqësit dhe profesorët e këtyre programeve duhet ta marrin me seriozitet këtë mos interesim (refuzim) të maturantëve dhe të reflektojnë në përmirësimin e këtyre plan-programeve”, shtoi ai.

Rexha theksoi se afati i qershorit është treguesi më saktë i kërkesave të tregut, e që sipas tij nuk duhet të injorohet.

Konkursi i Universitetit të Prishtinës për pranimin e studentëve të rinj është hapur më 9 korrik deri më 17 korrik të këtij viti.

UP-ja në vitin e parë të studimeve, në afatin e parë të konkursit për vitin akademik 2018/2019 do të regjistrojë 7066 studentë, prej të cilëve 6156 studentë të rregullt dhe 910 studentë me korrespondencë.